TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë me gazetarët foli për situatën ekonomike, financiare dhe sociale në vend.
Meta u shpreh se, bizneset e ndershme po falimentojnë, ndërsa pastrimi i parave po lulëzon.
“Situata ekonomike, financiare dhe sociale në vend po shënon një regres të pandalshëm. Treguesit ekonomikë gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në muajin dhjetor 2023 na prezantojnë rritje të mëtejshme të varfërisë së qytetarëve për shkak të një ekonomie, që po bëhet gjithmonë e më pak konkurruese”, tha Meta.
Ai nënvizoi se, “rënia e importeve të lëndëve të para dhe atyre ushqimore me rreth 8.2 % krahasuar me një vit më parë si dhe rënia e konsumit, veçanërisht në muajin e festave të fundvitit, krahasuar me një vit më parë, provon uljen e kërkesës së ekonomisë dhe të konsumatorëve”.
“Një tregues i rritjes së varfërisë në vend është fakti se vetëm në muajin dhjetor 2023 importet u ulën me 23.1% krahasuar me dhjetorin 2022, ç’ka dëshmon thellimin e krizës për shkak të rritjes abuzive të çmimeve”, u shpreh Meta.
Ai tha se, “gjatë vitit të kaluar eksportet gjithashtu shënuan tkurrje me 9.5% krahasuar me vitin 2022. Rënia e eksporteve në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për muaj me radhë për shkak të pandemisë”.
Meta shtoi se, “zhvlerësimi i qëllimshëm i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare”.
Meta u shpreh se, janë dhjetëra leje që jepen pa kursim në Tiranë, përmes një vendimmarrje jo transparente të Këshillit Kombëtar të Territorit.
“Mbivlerësimi i lekut është dëshmia e plotë e rritjes së volumit të pastrimit të parave në të gjitha format dhe e mbështetur hapur nga Qeveria. Në raportin e saj të fundit FMN e bëri të qartë se “mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike”, u shpreh Meta.
Sipas tij, qytetarët nuk paguajnë vetëm më shtrenjtë për ushqime, por edhe për barna.
“Pra jo vetëm nuk kanë mundësi financiare të ushqehen, por as të kurohen. Shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha. Organizata Botërore e Shëndetësisë së fundmi ka treguar qartë se shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre për shëndetësinë më shumë se kudo tjetër në kontinent”, tha ai.
Meta shprehu respektin më të madh për qëndresën dhe mençurinë e studentëve të mjekësisë, të cilët tha ai, “vendosën një standard të lartë të reagimit shoqëror ndaj këtyre padrejtësive dhe arrogancës qeveritare duke fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese, që rrëzoi ligjin që i detyronte të punonin pesë vjet me detyrim, sapo diplomoheshin”.























