TIRANË, 21 janar /ATSH/ Deputeti socialist Erion Braçe bëri thirrje sot për drejtësi për katër viktimat e 21 janarin, të cilët u vranë në vitin 2011 gjatë protestës të organizuar asokohe nga PS kundër qeverisë Berisha.
Braçe e quan vrasjen e katër protestuesve, “pushkatim pa gjyq”, ndërsa thotë se, “drejtësia nuk ka bërë asnjë hap për ndëshkimin e urdhëruesve, pavarësisht vendimit të Strasburgut që kërkon hetim të plotë të zinxhirit komandues të shtetit të përfshirë në vrasje”.
Braçe thotë se, “Prokororia e Tiranës po e mban dosjen peng dhe se nuk shpall as moskompetencë”.
“Gjaku nuk është ujë! Gjaku nuk bëhet ujë! Gjaku duhet të bëhet drejtësi! 21 janari nuk është një ditë e zakonshme. Është një ditë e përgjakshme!”, u shpreh ai.
“Shteti, qeveria, forca të armatosura dhe nën komandë të saj, në një zinxhir urdhrash në zinxhirin komandues të shtetit, pushkatuan pa gjyq, përmes përdorimit të forcës vdekjeprurëse, katër protestues-Ziver Veizin, Hekuran Deden, Faik Myrtajn, Aleks Nikën, protestues paqësor e te pa armatosur!”, theksoi Braçe.
“Edhe ky vit nisi pa drejtësi për ta! Vjet Gjykata e të Drejtave te Njeriut, vendosi t’i kërkojë drejtësisë shqiptare-hetim të plotë dhe efektiv të zinxhirit komandues të shtetit të përfshirë në vrasje! Asgjë nuk ka ndodhur!”, shtoi ai.
“Prokuroria e Tiranës vijon të mbaj dosjen peng dhe të refuzojë çdo provë, çdo sugjerim, çdo vendim-përfshirë vendimin e gjykatës evropiane, për te hetuar zinxhirin komandues te shtetit”, theksoi Braçe.
“Pra, as heton pushkatimet e zinxhirit komandues të shtetit, as lëshon dosjen e kompetencën mbi te! Është një tmerr qe ky prokurori e konsumon me zë të ulët që mos ta dëgjoj Sali Berisha!”, u shpreh Braçe.
“Ndërkohë; po minon çdo përpjekje ne këtë vend për te patur drejtësi të drejte, të barabartë dhe efektive! Është e thjeshte; të shkojë kush te dojë në burg, nëse nuk hetohet zinxhiri komandues i shtetit, përfshirë në vrasjen e katër protestuesve ne 21 janar, ky vend mund të ketë gjithçka, por jo drejtësi”, shkruan Braçe.























