Ballina Flash

Ernest Koliqi, përkujtohet figura e shquar e arsimit shqiptar

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar kujtoi në 49-vjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin, studiuesin, publicistin dhe figurën poliedrike Ernest Koliqi (15 janar 1975).

Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.

Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.

Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPresidenti dekreton Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Artikulli tjetërMazniku: Qeveria mbështetje bashkive për hartimin e programit kombëtar të mbarështimit të pyjeve