Ballina Aktualitet

Presidenti dekreton Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e Adea Pirdenit në detyrën e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Emërimi vjen pas propozimit të kryeministrit Edi Rama i cili argumentoi se “në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike”.

Kjo, sipas kryeministrit, për të rritur krahas pagave konkurruese dhe cilësinë e burimeve njerëzore.

Lidhur me krijimin e postit të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Rama argumentoi se “politikat antikorrupsion të qeverisë duhet të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”.

Adea Pirdeni ka mbajtur në tre vitet e fundit rolin e zv.ministres së Drejtësisë dhe të zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj për Masakrën e Reçakut: Kjo kujtesë sot, motiv i fortë për të mbrojtur paqen dhe sigurinë
Artikulli tjetërErnest Koliqi, përkujtohet figura e shquar e arsimit shqiptar