Ballina Flash

Haradinaj fton shqiptarët e Luginës për pjesëmarrje në zgjedhjet e nesërme në Serbi

PRISHTINË, 16 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë.

Haradinaj ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje.

“Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, këtë të diel, më 17 dhjetor 2023 në Serbi, i bëj thirrje bashkëkombasve shqiptarë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi, që të dalin masovikisht në mënyrë që të ketë përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave qytetare dhe kombëtare”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se duhet përfaqësim sa më i madh në Kuvendin e Serbisë.

“Duke e ditur diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në të gjitha format nga regjimi serb, do të jetë shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh në Parlament, në mënyrë që të mbrohen interesat shqiptare dhe të njoftohet opinioni për padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve atje”, është shprehur Haradinaj.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHasani takon Guterres: Shqipëria e palëkundur në angazhimin ndaj prioriteteve të OKB
Artikulli tjetërRama: Me buxhetin 2024 përfundojmë investimet në 30 shkolla dhe hapim kantiere të reja