Ballina Bota

SHKUP – Stoltenberg në vizitë zyrtare në MV

SHKUP, 21 nentor /ATSH-AA/ – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me ceremoni zyrtare ka pritur sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Shkup.

Kjo është vizita e parë e shefit të NATO-s në Maqedoninë e Veriut pasi vendi u bë anëtar i plotfuqishëm i aleancës.

Sipas agjendës së vizitës zyrtare të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, menjëherë pas ceremonisë së mirëseardhjes është mbajtur takim kokë më kokë me kryeministrin Kovaçevski, pas së cilës mbahet takim bilateral i dy delegacioneve.

Gjithashtu, Kovaçevski dhe Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Stoltenberg gjatë ditës së sotme do të mbajë fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Gjatë ditës së nesërme, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e takimit jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni. Stoltenberg dhe Kovaçevski do të mirëpresin liderët e ftuar të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Stoltenberg është në një turne katër-ditor në Ballkan nga 19 deri më 22 nëntor, gjatë të cilit ai vizitoi Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDPA në Shkup, Bido: Nuk ka kufij kulturorë në hapësirën shqiptare
Artikulli tjetërMorën leje ndërtimi me dokumente të falsifikuara, arrestohen dy arkitektë