TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Prefekti i Rajonit të Pardubice, në Republikën e Çekisë, Martin Netolickÿ dhe delegacioni që e shoqëronte me deputetë e kryetarë bashkie vizituan qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi priti në një takim Netolickÿ dhe delegacionin që e shoqëron.
Gjatë takimit Golemi dhe Netolickÿ biseduan për bashkëpunimin mes qyteteve të Lytomysl e Gjirokastra si dy qytete në UNESCO.
Golemi tha se dy qytetet tona kanë mundësi bashkëpunimi e ndërveprimi të larta në fushën e kulturës e turizmit.
“Vendi ynë është një destinacion i turistëve çekë në çdo stinë”, theksoi Golemi.
Prefekti i Rajonit të Pardubice në Republikën e Çekisë, Martin Netolickÿ dhe delegacionin që e shoqëron u prit në takim edhe nga Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Odise Kote.
Në këtë takim binjakëzimi e projektet e përbashkëta midis dy qyteteve në UNESCO, Gjirokastër e Litomysl u vlerësua si mundësi optimale për njē bashkëpunim me interes e afatgjatë.
Me interes të veçantë u vlerësua nxitja dhe mirëkuptimi për bashkëpunime të ndërsjella në lëmi të zhvillimit të mjedisit dhe të turizmit.
Kote dhe Netolickÿ vizituan spitalin rajonal “Omer Nishani” dhe shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi” ku identifikuan mundësi bashkëpunimi, shkëmbime të ndërsjellta dhe mbështetje logjistike për këto institucione.
/r.e/























