PARIS, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Partia kryesore opozitare në Greqi, SYRIZA, është gjendur në mesin e një stuhie që kur vendosi në krye të saj një ish-ekspert tregtar të ”Goldman Sachs”, deri në atë pikë sa nuk është e pamundur një ndarje e re e këtij formacioni të së majtës radikale, sipas ekspertëve.
I zgjedhur për habinë e të gjithëve në shtator, Stefanos Kasselakis, një biznesmen 35-vjeçar, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kaluar në SHBA, akuzohet nga drejtues të caktuar se dëshiron të inicojë një zhvendosje drejt qendrës së djathtë të kësaj partie, e drejtuar prej 15 vitesh nga ish-kryeministri, Alexis Tsipras.
Konflikti tashmë është i tillë që dorëheqjet dhe njoftimet për përjashtim pasojnë njëra-tjetrën.
Kjo luftë e brendshme, siç e cilësojnë disa gazeta, vjen në një kohë kur SYRIZA, e cila ka evoluar drejt qendrës së majtë me Tsiprasin, është në vështirësi, pasi u mund në zgjedhjet e fundit legjislative.
Kjo pengesë e shtyu Alexis Tsiprasin të dorëhiqej.
Në Parlament, ish-partia problematike, e cila kishte udhëhequr një përplasje me evropianët për dhënien e një plani shpëtimi për Greqinë në 2015, tani përfaqësohet vetëm nga 47 deputetë, nga 300 të tillë.
– Mungesa e opozitës –
Stefanos Kasselakis, i panjohur në skenën politike deri pak muaj më parë, deklaroi se donte të përjashtonte tre ish-ministra të Tsiprasit, drejtues me ndikim të SYRIZA-s, që nuk e fshehin armiqësinë ndaj tij.
Një tjetër largim i zhurmshëm është ai i eurodeputetit Stelios Kouloglou, i cili njoftoi të hënën se po largohej nga partia për shkak të mungesës së opozitës serioze dhe projeksionin e jetës personale të kryetarit të ri në dialogun publik.
”Dëbimi i anëtarëve përmes X-it nuk është mënyra se si funksionon një parti”, reagoi njëri nga tre drejtuesit, Nikos Filis.
Edhe para ardhjes së kreut të ri, ky ish-ministër i Arsimit kishte siguruar se partia e tij ”nuk kishte nevojë për një Mesia apo një figurë politike nga brezi i Instagramit”.
Një mbledhje e byrosë politike të partisë duhet të vendosë sot për fatin e tre zyrtarëve.
“Ka të ngjarë që ne po shkojmë drejt një ndarjeje në parti”, thotë Manos Papazoglou, profesor i shkencave politike në Universitetin e Peloponezit.
”Nuk ka pasur kurrë një mospranim të tillë nga ana e drejtuesve të partisë ndaj një lideri politik”, nënvizon studiuesi.
”Kasselakis nuk ka shumicën e votave politike”, theksoi ai.
Panos Skourletis, një tjetër zyrtar i lartë i kërcënuar me përjashtim, kritikoi një “mutacion të dhunshëm të SYRIZA-s”.
”Nëse ky trend vazhdon, SYRIZA do të bëhet një parti pa shpirt e qendrës së djathtë”, paralajmëroi ai.
Deklaratat e Kasselakis ngjallën indinjatë në radhët e një partie, krahu i së cilës mbetet shumë i ankoruar në të majtë.
Duke folur para industrialistëve grekë, udhëheqësi i ri siguroi se SYRIZA nuk do ta demonizonte më kapitalin privat.
”Kapitali është një mjet prosperiteti”, tha ai.
– Homoseksualitet i shfaqur –
Mediat greke u fokusuan tek stili i tij i jetesës dhe homoseksualiteti i tij, i shfaqur në një vend ku familja tradicionale mbetet shtylla e shoqërisë.
Martesa e tij në SHBA me partnerin e tij, një infermier amerikan apo dëshira që ai shprehu për të përdorur një nënë surrogate ngjalli entuziazëm në media.
Në rast të ndarjes, për SYRIZA-n nuk do të ishte hera e parë.
Në vitin 2015, në mes të trazirave ekonomike, ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis i përplasi derën qeverisë së Tsiprasit për të krijuar partinë e tij.
”Frakturat që ndodhin në partitë e mëdha na kanë treguar në të kaluarën se partitë e vogla të formuara nga disidentët nuk janë në gjendje të depërtojnë elektoralisht”, thotë Maria Karaklioumi, analiste politike./ a.jor.






















