Ballina Aktualitet

Bastet e paligjshme, 5 të arrestuar në Lezhë

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Policia e Lezhës ka finalizuar fazën e katërt të operacionit “Basti i Fundit”, ku u arrestuan 5 persona.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit u sekuestruan 11 300 lekë, celularë dhe letra bixhozi, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, në kuadër të planit operacional të koduar “Basti i fundit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të vënies së lokalit, në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të disa lojërave të fatit”, njofton Policia e Lezhës.

“Si rezultat i fazës së katërt të operacionit “Basti i fundit”, u vunë në pranga shtetasit: B. H., 18 vjeç, F. H., 20 vjeç, M. K., 29 vjeç, D. Sh., 30 vjeç dhe V. M., 31 vjeç, të gjithë banues në Laç. Të pestë këta shtetas u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të shtetasit B. H., në Fushë Milot, teksa vinin baste sportive, me celularë, dhe luanin lojëra fati me letra. Nga ky ambient u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 11 300 lekë, celularë dhe letra bixhozi”, përfundon Policia e Lezhës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLufta ndaj narkotikëve, Rrumbullaku propozon kontakte të drejtpërdrejta me Policinë e Kolumbisë
Artikulli tjetërKarabina: Ortakët e kullave, frikë nga SPAK