Ballina Aktualitet

Spiropali: Të dalim mbi traditën e përdorimit të Kosovës për interesa politikë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, foto: Florian Abazaj

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, që dënon ashpër sulmin që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, në Kosovë.

Në një replikë në Kuvend me kryetarin e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha, ministrja Spiropali tha se “ne ramë dakord në konferencën e Kryetarëve që kjo çështje që ka një rëndësi kombëtare që nuk është çështje provinciale e ditës dhe nuk duhet të jetë çështje foltoresh e partish, duhet të dalë nga ky Kuvend si një produkt i përbashkët”.

“Ramë dakord për një mocion me debat 6 orë, ku do të kemi mundësi të debatojmë dhe të paraqesim të gjitha propozimet dhe amendamentet dhe të dalim me një rezolutë, e cila mishëron vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë, institucionit më të lartë në Republikë për të mbështetur sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e saj dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë, e pavarur dhe e njohur në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi Spiropali, duke shtuar se këtë ka bërë Shqipëria vijimësisht në politikën e saj shtetërore, qeveritare jo vetëm në Ministrinë e Jashtme, por kudo Shqipëria ka një vend të nderuar e me dinjitet.

Ne, vijoi Spiropali, nuk do ndalemi, është në nder të këtij Kuvendi që deklaratat dhe rezolutat të jenë të përbashkëta e të reflektojnë këtë frymë kombëtare.

“Kosova nuk është çështje e politikës sonë të jashtme aq më pak është çështje e politikës  së ditës. Ka një traditë të shëmtuar të përdorimit të Kosovës për interesa politikë, për interesa të vogla klanore e provinciale pa menduar a e dëmtojnë, a e ndihmojnë Kosovën. Të dalim mbi këtë traditë dhe të miratojmë një rezultat që i qëndron kohës për këtë çështje delikate”, tha ajo.

Më tej, Spiropali duke iu drejtuar Berishës tha se ai duhet të merret me punët e shtëpisë, referuar “PD-së” dhe më pas të zgjidhë hallet e Kosovës.

“Nuk ma heq dot fjalën ti mua doktor. Tentativa për të krijuar një narrativë me heronj dhe tradhtarë, më e rrezikshmja për Kosovën. E keni traditë të shëmtuar këtu dhe është e dëmshme që për interesa të partisë të vini Shqipërinë dhe Kosovën. Ka kush i del për zot Shqipërisë dhe Kosovës. Zgjidhni njëherë hallet e shtëpisë e pastaj merruni me hallet e Kosovës dhe Shqipërisë sepse kështu siç e keni katandisur diskursin tuaj, ju po doni ta eksportoni këtë gjuhë dhe këtë problem në Kosovë”, theksoi Spiropali.

Ministrja Spiropali tha se “Shqipëria i ka dalë për zot Kosovës dhe do t’i dalë, sepse nuk ka aleate më të madhe Kosova se Shqipëria. Ju zgjidhni hallet tuaja dhe pastaj hajdeni në këtë Kuvend për të zgjidhur hallet e Kosovës”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTë ardhurat nga TVSH, rritje me 23.8 % gjatë 8-mujorit
Artikulli tjetërPeci: Me rëndësi fuqizimi i projekteve rinore