Ballina Flash

Superliga – “Erzeni” surprizon në kryeqytet, Maliqi gol me vlerë tri pikë ndaj “Tiranës”

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ “Erzeni” befason në sfidën hapëse të javës së pestë të Superligës, duke mundur në kryeqytet “Tiranën” me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të sfidës e shënoi Bekim Maliqi, në minutën e 17-të të lojës, pas një serie kombinimesh mjaft të bukura të skuadrës nga Shijaku.

“Erzeni” me këtë fitore të arritur në Tiranë, shfaqi një mbrojtje solide, të udhëhequr mjaft mirë në Atanda, teksa kundërsulmet mund të kishin sjellë edhe golin e dytë për mysafirët. “Tirana” në kampin tjetër tregoi brishtësi në prapavijë dhe aspak cinizëm në sulm. Veç qarkullimit të topit, djemtë e Orges Shehit, thuajse nuk e rrezikuan fare portën e shijakasve.

“Tirana” pas kësaj disfate në “Selman Stermasi”, mbetet në kuotën e 10 pikëve, e ndjekur pikërisht nga “Erzeni”, që me fitoren e kësaj të premte u ngjit në vendin e dytë përkohësisht në klasifikim, në kuotën e 8 pikëve.

Java e pestë e Superligës vijon këtë pasdite me sfidën “Dinamo City”-“Partizani”, që do të nisë në orën 18:00.

Ndërkohë që të shtunën do të luhen tri sfidat e fundit të kësaj jave. Në orën 15:00 do të luhet sfida “Egnatia”-“Laçi”, në 18:00 do të luhet ndeshja mes “Skënderbeut” dhe “Kukësit”, ndërsa në mbrëmje në orën 20:15, nis klasikja mes “Vllaznisë” dhe “Teutës”.

Klasifikimi pas sfidës së parë të javës së 5-të:

“Tirana”           10 Pikë (5 ndeshje)
“Erzeni”             8 Pikë (5 ndeshje)
“Laçi”                7 Pikë (4 ndeshje)
“Egnatia”           7 Pikë (4 ndeshje)
“Skënderbeu”     5 Pikë (4 ndeshje)
“Partizani”          5 Pikë (3 ndeshje)
“Teuta”              4 Pikë (3 ndeshje)
“Dinamo City”     3 Pikë (4 ndeshje)
“Kukësi”             0 Pikë (4 ndeshje)

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJENEVË – Zvicra kërkon t’i bashkohet klubit klimatik të vendeve të G7
Artikulli tjetërNumri i rinoqerontëve në Afrikë rritet për herë të parë në më shumë se një dekadë