BAKU, 21 shtator /ATSH-DPA/ – Përfaqësuesit e armenëve që jetojnë në Nagorni-Karabahu morën sot pjesë në një takim të organizuar nga Azerbajxhani për të sqaruar marrëdhëniet në territorin e kontestuar pas shpërthimit të fundit të dhunës në rajon.
Azerbajxhani doli fitimtar pasi nisi një operacion ushtarak për të kapur rajonin e Kaukazit Jugor të kontestuar gjatë, në fillim të kësaj jave.
“Takimi, i zhvilluar në qytetin Yevlax, ka të bëjë me “riintegrimin” e Nagorni-Karabahut në Azerbajxhan”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Azerbajxhanit “Azertac”.
Edhe pse Nagorni-Karabahu, i cili është kontestuar mes dy vendeve ish-sovjetike për dekada, shtrihet në territorin e Azerbajxhanit, shumica e banorëve të tij janë armenë etnikë.
“Delegacioni armen përfshin edhe deputetin e Republikës së panjohur të Artsakhut që qeveris Nagorni-Karabahun, David Melkumian”, njoftoi agjencia armene e lajmeve “Armenpress”.
Ushtarët rusë të vendosur në rajon ishin gjithashtu të pranishëm në takim si ndërmjetës.
Forcat e Bakut filluan të sulmojnë Nagorni-Karabahun, i banuar kryesisht nga armenë, me raketa dhe artileri mëngjesin e së martës.
Armenët, në numër më të madh, ranë dakord dje për një armëpushim.
“Të paktën 200 persona u vranë dhe më shumë se 400 u plagosën në luftimet gjatë ditëve të fundit”, sipas medias armene.
Ka patur raportime se armiqësitë po vazhdonin, një ditë pas fillimit të armëpushimit.
Zyrtarët lokalë armenë thanë se ushtarët azerbajxhanas qëlluan jo shumë larg kryeqytetit të Nagorni-Karabahut, Stepanakert dhe këshilluan armenët që jetonin atje të qëndronin në shtëpitë e tyre.
Azerbajxhani i hodhi poshtë akuzat, ndërsa zyrtarët e Bakut thanë se raportet ishin “plotësisht të rreme”.
Shumë armenë kanë frikë se do t’i nënshtrohen sundimit të Azerbajxhanit ose do të detyrohen të largohen nga atdheu i tyre, pasi presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev kërkon të forcojë kontrollin e tij në Nagorni-Karabahun. //a.i/






















