Ballina Aktualitet

Arrestohet 41-vjeçari i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Një 41-vjeçar u arrestua nga policia me qëllim ekstradimi drejt Italisë, pasi rreth një vit më parë vrau në shtetin fqinj me armë zjarri një shtetas shqiptar.

Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të operacionit “Provinca” në afërsi të Fushë Krujës, u lokalizua, u arrestua për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Sh. K., 41 vjeç.

Arrestimi u krye si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri, për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të shtetit tonë ose të Italisë.

Sipas policisë, 41-vjeçari u arrestua nga specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe ata të njësisë FAST Albania.

Mësohet se 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi më datë 18.08.2022, në vendin e quajtur “Castelnuova val di Cecina”, në provincën Piza, Itali, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasin shqiptar E. K.

Policia sqaron se vijojnë veprimet procedurale për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku dënimi për këtë vepër penale është maksimumi 30 vjet burgim.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimet e FSHF, Duka inauguron fushën e tretë në Kamzë
Artikulli tjetërTakim mes akademikëve evropianë në Mal të Zi, së shpejti në Tiranë “Mbledhja e Procesit të Berlinit”