TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Sekretari për Organizimin Digjital të Partisë Demokratike, Endri Hasa, në një reagim në rrjetet sociale i është përgjigjur kritikëve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas emërimit të tij nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Hasa akuzoi kreun e “Rithemelimit”, Sali Berisha, se mendon vetëm për veten dhe dëmton këdo që e kërcënon.
“Marionetat e Berishës nëpër media kanë 24 orë që shpifin dhe sajojnë lloj e soj marrëzirash për detyrën me të cilën e ngarkoi Bashën Këshilli i Europës, që tregon edhe njëherë se nongrata mendon vetëm për veten dhe dëmton këdo që e kërcënon”, theksoi Hasa.
“Lulzim Basha nuk ka nevojë për duartrokitjet e askujt, ai po bën vetëm detyrën e tij, por nëse e kanë të pamundur të gëzohen për një lajm të mirë, vetëm sepse atë detyrë po e kryen Basha, të paktën të gëzohen sepse ai që po e çon përpara këtë punë të rëndësishme është pikërisht një shqiptar, që po vendos në dritë të mirë Shqipërinë në çështjen më të rëndësishme të momentit në rrafshin ndërkombëtar”, vijon Hasa.
“Tam tamet le të vazhdojnë, nga zëdhënësit e vjetër dhe të rinj të bunkerit, sepse ata kanë hallet e tyre. Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e Shqipërisë do punojnë çdo ditë për Shqiptarët duke i ofruar alternativën dhe profesionistët më të mirë që do ta pozicionojnë Shqipërinë atje ku e meriton”, nënvizoi Hasa.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është emëruar si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Vendimi është marrë nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët kanë votuar unanimisht pro Bashës.
Më herët, kryedemokrati paraqiti një projektrezolutë në Këshillin e Europës që bën thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.
/r.e/





















