TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako uroi sot nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2023-2024.
“Urime të përzemërta nxënësve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm shkollor. Një urim i veçantë për nxënësit e klasave të para, që sot fillojnë rrugën e dijes”, shkruan Sako në një postim në rrjetet sociale.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se “uroj mësueset dhe mësuesit, si dhe i shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë që tregojnë në misionin e tyre fisnik për edukimin e brezave të ardhshëm. Urime gjithashtu prindërve që janë mbështetja kryesore e fëmijëve, në realizimin e objektivave të tyre të jetës nëpërmjet dijes e shkollimit”.
Sako tha se bashkia e Durrësit ka bërë shumë punë për t’i krijuar kushte sa më të mira fëmijëve dhe mësuesve.
“Tre vitet e fundit në Durrës janë ndërtuar 20 objekte arsimore të reja me standarde evropiane, ndërkohë që edhe ato ekzistuese janë në kushte optimale”, nënvizoi Sako.
Kryetarja e bashkisë Sako u shpreh se “puna vazhdon me ndërtimin e të tjera godinave arsimore me kushte bashkëkohore”.
“Kujdesi maksimal ndaj fëmijëve është prioriteti ynë, pasi ata janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë”, tha Sako.
/k.s/r.e/






















