TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një komunikim për mediet, u shpreh se përmes një aksioni të përbashkët në parlament, unifikohet opozita.
“Aksioni në parlament është ai që e unifikon opozitën. Nuk është çështje negociatash, opozita ka mundësi të bëjë opozitë më të fuqishme se kjo e realizuar deri më tani. Edhe kjo opozitë, që është bërë deri më tani, është bërë në këto kushte shumë të vështira, por mos harroni se këto skandale janë ngritur dhe publikuar nga opozita dhe prandaj duke i bashkuar forcat, opozita i ka mundësitë të jetë e suksesshme dhe shumë shpejt të garantojë një ndryshim të fortë”, tha Meta.
Duke komentuar tryezën e mbajtur nga deputetë të opozitës më ftesë të deputetit Gazment Bardhi, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se fokusi i të gjithë deputetëve të opozitës është përballja me qeverinë.
“Besoj se deputetët e Partisë së Lirisë kanë qenë gjithnjë në vijën e parë të ballafaqimit me regjimin në parlament edhe kudo. Është e rëndësishme që të 63 deputetët e opozitës t’i përgjigjen asaj kërkese, që kanë bërë ata të cilët i kanë votuar në zgjedhjet e 2021, dhe të ndalojnë çdo lloj komunikimi me këtë regjim, i cili investimin më të madh e ka bërë për të përçarë opozitën dhe për të blerë segmente të caktuara të saj dhe për të përjetësuar këtë regjim kleptokratik që është në kurriz të të gjithë shqiptarëve”, tha Meta.
/r.e/






















