TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për ndërtimin e 996 apartamenteve dhe infrastrukturës së re në lagjen “Rilindja”, në Spitallë të Durrësit.
I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, kryeministri inspektoi punimet në lagjen “Rilindja”, ku sipërmarrja prestigjioze e ndërtuesit të Portit të ri Turistik të Durrësit, Mohamed Alabbar, me financimin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed, po përfundon 996 apartamentet që do të strehojnë familje të prekura nga tërmeti në zonën e bashkisë së Durrësit.
Rama theksoi se po ashtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për infrastrukturën e re të kësaj lagjeje të ngritur nga hiçi i ish-kënetës, e cila do të jetë shembëlltyra kuptimplotë e vizionit dhe ambicies sonë për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër.
Rama shprehu bindjen se “kjo për 5 vjet do të jetë një lagje me jetë dhe një lagje më e bukura padiskutim sepse është e gjitha e ndërtuar nga hiçi, me hapësira, me të gjitha gjërat që do të vazhdojmë t’i ndërtojmë rreth e rrotull, kopshte qendra shëndetësore, shkollën”.
Kryeministri kërkoi po ashtu që të bëhet një plan pyllëzimi për zonën.
Nga ana e saj, Sako u shpreh se po shikohet mundësia që përveç banesave që janë ndërtuar tashmë, të shihen edhe nevojat për të realizuar qendra shëndetësore, kopshte apo edhe ambienteve të shitjeve, për të pasur shërbimet e nevojshme komuniteti që do të jetojë këtu.
Duke folur për cilësinë e ndërtimit të banesave, Sako theksoi se pallatet janë të veshura me kapot dhe janë ndërtuar me materialet më të mira.
“Këtu jemi në lagjen e re të rindërtimit ku po të shohim, dallojmë që pallatet kanë ecur me punën. Një pjesë është në 90% gati të përfunduara punimet, janë pjesët e finiturave kryesisht ku po punohet. Nga ana tjetër kemi lotet e fundit që duken me sy që janë ende ne një kantier, përsa i takon veshjes së muraturave të tullës në fillim. Nga ana tjetër me Fondin Shqiptar të Zhvillimit këtu kemi një kontratë për infrastrukturën kryesorë të bllokut dhe në fakt këtu sot shohim gati të përfunduara punët kryesore të përsa i takon aksit”, tha ajo.
Sako theksoi se këtu ka qenë një zonë relativisht e vështirë, sepse ka pasur nevojë për shumë mbushje të territorit.
“Punimet janë në një fazë të avancuar përsa i takon rrjetit kryesor të infrastrukturës, rrugët janë të përfunduara, janë vendosur të gjithë elementët e ndriçimit”, tha ajo.
Zona e Spitallës në Durrës po transformohet rrënjësisht vitet e fundit, falë projekteve madhore të rikualifikimit urban, të cilat ofrojnë standarde moderne të infrastrukturës, dhe përmirësim të ndjeshëm të jetës së përditshme të banorëve.
/m.m/























