TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Policia e Dibrës njofton se ka arrestuar shtetasin Indrit Belba. 23 vjeçari ishte shpallur në kërkim me vendim të gjykatës, pasi dyshohet se ka ndihmuar një 33-vjeçar, i cili tentoi të vriste një 20-vjeçar me armë zjarri në Peshkopi, për ta fshehur nga Policia. Ngjarje kjo e ndodhur në 6 qershor.
Sipas njoftimit të Policisë së Dibrës, mësohet se, “në vijim të kërkimeve dhe punës operacionale për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Dibrës, vunë në pranga shtetasin Indrit Belba, 23 vjeç, banues në Peshkopi”.
Sipas policisë, ndalimi i Belbës u realizua me vendim të Gjykatës së Dibrës, e cila ka ngritur dy akuza ndaj 23 vjeçarit. “Gjykata e Dibrës i ka caktuar 23-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi akuzohet se më datë 06.06.2023, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, një 33-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri një 20-vjeçar, në qytetin e Peshkopisë, si dhe nuk ka kallëzuar për këtë krim”, bënë të ditur Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.























