TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se, “koncesionet korruptive në shëndetësi privojnë pacientët nga shërbimi shëndetësor në onkologji”.
“Shpërdorimi kolosal i fondeve në shëndetësi me koncesionet korruptive ka krijuar mungesa dhe boshllëqe shumë kritike në shërbime dhe përkujdesje mjekësore ndaj qindra pacientëve të tjerë në shërbimin e onkologjisë”, theksoi Meta në një postim në rrjetet sociale.
Meta shtoi se, “është fakt shumë tronditës mostrajtimi i 600 grave paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, si dhe mostrajtimi i 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës”.
“Kjo situatë kaq e rëndë e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit do të thotë që jeta dhe shëndeti i pacientëve të mbetet në mëshirë të fatit dhe pa trajtim mjekësor”, tha Meta.
“Ky është një krim i vërtetë ndaj jetës dhe shëndetit, dëshmitarë të të cilit janë pacientët e shumtë, por edhe shumë familjarë të tyre”, u shpreh ai.
“Babëzia korruptive me koncesionet nuk kurseu pra as jetën e njerëzve. Drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve sepse korrupsioni i tyre ka krijuar dëm pa kthim siç është humbja e jetës dhe dëmtimi i shëndetit”, përfundoi reagimin kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.























