TIRANË, 29 gusht/ATSH-Maela Marini/ Investimet në infrastrukturë, arsim dhe në banesa sociale në Roskovec, pritet të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve.
Në një intervistë për ATSH-së, kryetarja e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi ndalet te disa prej këtyre investimeve, të cilat janë në proces dhe impaktojnë një pjesë të gjerë të komunitetit.
Bufi veçoi investimin për herë të parë në territorin e bashkisë Roskovec për ndërtimin e banesave me kosot të ulët.
“Po ndërtohet një objekt 6-katësh banesash me kosto të ulët. Ky investim po realizohet me fondet e Entit Kombëtar të Banesave në vlerën 87,7 milionë lekë. Punimet për këtë objekt kanë filluar në 6 qershor 2023 dhe pritet të përfundojnë më 24 nëntor 2024. Pas përfundimit të punimeve, familjet e reja do kenë mundësi të akomodohen në banesa me kosto të ulët”, theksoi ajo.
Një tjetër investim i rëndësishëm, sipas Bufit, po kryhet për banorët e zonës naftëmbajtëse të Marinzës.
Rikualifikimi urban i këtij fshati po realizohet nga fondet e buxhetit të bashkisë në vlerën 11,9 milionë lekë dhe pritet të përfundojë brenda muajit gusht.
“Projekti përfshin ndërtimin e trotuareve, sistemit të ndriçimit dhe lulishes përgjatë kësaj rruge. Bashkia Roskovec ka bashkëpunuar dhe me donatorë, një prej të cilëve është kompania e Bankers Petrolum, e cila nëpërmjet një financimi prej 8,3 milionë lekësh ka bërë të mundur përmirësimin e kanaleve kulluese të kësaj zone”, theksoi Bufi.
Duke u ndalur te investimet në arsim, Bufi solli në vëmendje projektin për rikonstruksionin e plotë të shkollës “5 Dëshmorët“ në Suk 1, njësia Strum.
“Në këtë shkollë mësojnë rreth 280 nxënës të ciklit të ulët. Si një ndërtim i para viteve ’80 rikonstruksioni total i kësaj shkolle ishte një domosdoshmëri dhe një detyrim për komunitetin e kësaj zone. Një projekt me bashkëfinancim midis buxhetit të shtetit dhe buxhetit të bashkisë, vlera e investimit është 80, 7 milionë lekë dhe pritet të mbarojë në fund të gushtit. Projekti përfshin ndërtimin e kopshtit, terreneve sportive të hapura dhe të mbyllura, sistemin e ngrohjes qëndrore, sistemin e ndriçimit etj”, shtoi ajo.
Kryebashkiakja theksoi po ashtu se ndërhyrje emergjente po realizohen edhe në fshatin Ngjeqar, Njësia Adminstrative Kurjan, ku po rikonstruktohet shkolla e mesme “Didin Bishani”.
“Një nga investimet më të rëndësishme në sistemin arsimor i cili po realizohet aktualisht, është ai në shkollën e mesme “Didin Bishani” në Kurjan, pjesë e projektit ‘Rivitalizimi i shkollës Qendër Komunitare”, për një akses më të mirë në zhvillimin socio-ekonomik të të rinjve dhe grupeve të disavantazhuara”, tha ajo.
Bufi theksoi se ky projekt po realizohet me fonde të Komisionit Europian në vleren 19,3 milionë lekë dhe po ashtu pritet të përfundojë në muajin gusht.
“Shumë shpejt ky investim do t’i krijojë mundësinë të rinjve të Kurjanit për të ndjekur orët mësimore me ambiente bashkëkohore dhe ambiente të formimit profesional për të qënë pjesë e tregut të punës, si një mundesi integrimi dhe socializimi, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhen”, theksoi ajo.
Në infrastrukturë, Bufi u ndal edhe te ndërhyrjet emergjente që po kryhen në fshatin Ngjeqar, njësia administrative Kurjan, me mbështjen e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
“Ndërhyrjet përfshijnë riparimin e shkarjeve në dy lagje, punimet në rrugën Ngjeqar-Kurtaj si dhe punimet për përroin e Allambrezit. Edhe ky investim pritet të përfundojë brenda muajit gusht, duke garantuar kështu mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së banorëve në rrethana të ndryshme natyrore”, shtoi ajo.























