TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se koncesioni i sterilizimit është një nga kontratat dhe punët më të mira që kemi bërë.
Në konferencën për shtyp i pyetur nga gazetarët lidhur me hetimin e SPAK për këtë koncesion, Rama tha se ” 100 herë të kthehesha mbrapa 100 herë do të bëjë të njëjtën gjë, do të mbështesja këto partneritete publik-private që kemi bërë në Shqipëri sepse veprat janë ato që mbeten. Problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë jo me ata që s’kanë gjëra në dorë”.
“Kur kemi bërë reformën në drejtësi, unë kam thënë që dua një drejtësi të godasë majtas e djathtas e të ecë vetëm drejt, nuk kam bërë propagandë, e kam ditur këtë që vjen nuk kam ditur kujt do t’i ndodhë, por e kam ditur këtë që vjen”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërsa ajo shumë socialistë të korruptuar, socialistët janë 1 milion , njerëzit që janë të implikuar janë shumë më pak se sa socialistët dhe janë asgjë në raport me fuqinë e PS-së”.
“E rëndësishme është që sterilizimi është një nga kontratat dhe punët më të mira që kemi bërë. Për këtë mos më pyesini mua, por shkoni pyesni mjekët në spital, kam marr mesazhe pa fund nga profesorë e mjekë që ishin të keqkuptuar apo shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, që s’ ishte rasti sepse me atë kontratë dhe me atë transformim ne kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare në hallkën e vet më delikate që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve. Nëse në procesin e asaj kontrate individët e caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin dhe me atdheun të cilit ne i shërbejmë do paguajnë kështu funksionon. Kur ne zgjedhim ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se ç’mund të bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është kafshë shumë e egër është shumë e vështirë ta mbash të zbutur e të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë dhe ka disa që nuk e mbajnë. Ka shumë natyra të ndryshme, ka disa më të dobëta e më të forta, ka disa që pyesin, ka disa që nuk pyesin, për ato që pushteti të ofron si tundim”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “këtë gjë duhet ta shohim pozitivisht, këtu ska gjë tjetër përveç përgjigjes individuale të secilit që nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë një rrugë e një punë dhe rezultateve të punës. Prandaj po ju them për sterilizimin shkoni pyesni ata që përdorin instrumentet mjekësore se çfarë thonë”.
“Kemi pasur një sistem ndërhyrjesh kirurgjikalë që ishte mesjetar në raport me çfarë është sot kemi kaluar nga epoka e bronzit në të sotmen. Sot çdo qytetar shqiptar që shkon për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale është i sigurt , po të shikoni rezultatet e uljes së ditëve të qëndrimit në spital për shkak të uljes të infeksionet post operatore, nga vijnë këto nga hëna mjekët janë po ata por sistemi nuk është po ai dhe garancia e gjithë instrumenteve është komplet tjetër”, tha Rama.
/k.s/






















