Ballina Flash

Braimllari: SPAK të ndalë pagesat për inceneratorin e Tiranës

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari deklaroi sot se, “kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për mega aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës”.

Sipas tij, “heshtja e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij drejtëpërdrejtë tek inceneratori i Tiranës”.

“Firma e tij në kundërshtim me ligjin duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak, duke dhënë miratimin për studimin e fizibilitetit e bën atë përgjegjësin e drejtëpërdrejtë të kësaj afere korruptive”, tha Braimllari.

“Erion Veliaj në bashkëpunim me drejtorët e tij është i përfshirë drejtëpërdrejtë në procedurën për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës, i cili vazhdon të vjedhë cdo ditë qytetarët e Tiranës”, theksoi ai.

“Erion Veliaj dhe stafi i tij i ngushtë janë tërësisht të lidhur me koncesionin 30-vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Nga dita e parë që ky projekt mafioz filloi të zbatohej”, u shpreh Braimllari.

“Erion Veliaj është përgjegjës për çdo pagesë që ka kryer Bashkia e Tiranës sepse ka qenë në dijeni të plotë që shërbimi që ofrohej nga inceneratori i Tiranës nuk ishte shërbimi që ishte parashikuar në kontratë. Por, Erion Veliaj vazhdon të paguajë 29 euro për ton”, nënvizoi më tej nën/kryetari i PL.

Ai shtoi se, SPAK duhet të ndalë sa më parë pagesat e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë bashkive të qarkut për një shërbim që nuk merret.

“Çdo ditë që kalon rëndon mbi xhepat e qytetarëve të Tiranës. SPAK duhet të marrë sa më parë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pasi çdo ditë që kalon këto veprime kriminale të kryera drejtëpërdrejt nga Erion Veliaj vazhdojnë të dëmtojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Inkurajojmë SPAK-un që të shkojë sa më shpejt të Erion Veliaj që së bashku me Edi Ramën kanë ideuar skemën korruptive të inceneratorit”, përfundoi Braimllari.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryeministrja Meloni largohet me traget nga Shqipëria, kryebashkiaku Dredha: Turistja e nderit
Artikulli tjetërLandfilli në Sherishtë, Dredha: Infrastrukturë kyçe për përpunimin e mbetjeve