Ballina Bota

GJERMANI – Berlini nis diskutimet për dërgimin e raketave “Taurus” në Ukrainë

BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Diskutimet për dërgimin e raketave gjermane “Taurus” me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë kanë nisur të nxehen sërish, pasi politikanët nga brenda dhe jashtë qeverisë kërkuan që Kievi të marrë sistemin e kërkuar të armëve.

“Vendimi politik për dorëzimin e armëve nuk është marrë ende”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ndërsa ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius theksoi kohët e fundit se Gjermania nuk është i vetmi vend që heziton në dërgimin e raketatve”, tha sot zyra e tij.

“Nuk jemi të vetmit që nuk i dorëzojmë. As aleatët tanë amerikanë nuk po i dorëzojnë këto raketa”, tha ministri.

Sistemet e raketave mund të shkatërrojnë bunkerë dhe poste komanduese të mbrojtura në distanca deri në 500 kilometra.

Dërgimi i tyre në Ukrainë ka qenë veçanërisht i ndjeshëm pasi kancelari Olaf Scholz nuk dëshiron që Gjermania të shihet si furnizuese e Ukrainës me armë që mund të dëmtojnë popullsinë civile të Rusisë, duke pasur parasysh shkatërrimin e saj nga ushtria gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Der Spiegel” raportoi se Berlini po shqyrtonte se si mund të furnizonte Ukrainën me raketa nga rezervat e Bundeswehr-it në muajt e ardhshëm. Bisedimet midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe industrisë së armëve janë në zhvillim e sipër.

Faqja e lajmeve t-online raportoi dje, duke cituar burime brenda Partisë Socialdemokrate (SPD), se qeveria do të njoftonte dorëzimin e raketave së shpejti.

Udhëheqësi gjerman, Olaf Scholz kërkon të përdorë modifikime teknike për të përjashtuar mundësinë që Ukraina të mund të sulmojë territorin rus me sistemet gjermane të armëve me rreze të gjatë.

“Der Spiegel” tha se Ministria e Mbrojtjes i kishte kërkuar prodhuesit të “Taurus” të integronte një kufizim për programimin e synuar në raketat e lundrimit. Raporti, duke cituar burime të industrisë, tha se kjo është teknikisht e realizueshme, por do të zgjaste disa javë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQëlluan me armë në drejtim të Policisë në veri, arrestohen 5 persona
Artikulli tjetërShkodër, bashkia nis kontrollet për kontratat e parkimeve publike