TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti akuzoi sot kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se është duke dhënë me qira qesharake Akuadromin e Tiranës.
Në një deklaratë për mediet, Teliti u shpreh se “sa më e vogël të jetë vlera e qirasë, aq më i lartë është pazari që bën Erion Veliaj me biznesmenin e radhës”.
“Një çmim i lirë në tavolinë, do të thotë një ryshfet i majmë nën dorë. Interesi publik nuk ka asnjë rëndësi dhe vlerë. Skandali i aferës së radhës lidhet me faktin se një sipërfaqe prej 1300 m2, në një nga zonat më të mira të Tiranës, i është paracaktuar vlera dysheme 53.48 lekë. Më pak se në një rrëpirë në një katund të thellë të Shqipërisë. Konsiderimi i pasurisë publike si tekë interesash private vërehet edhe te vlera përfundimtare e qirasë për të gjithë pasurinë: 180.127 lekë ose 1800 euro”, tha Teliti.
Sipas tij, “Veliaj nuk do të menaxhojë Tiranën, por do të administrojë interesat e tij private dhe të grupit mbështetës, do të shpërndajë pasuritë publike për të përfituar prej tyre”.
“Akuadromi, që e mori nga privati për t’ia dhënë shtetit dhe më pas vendosi t’ia kalojë një privati tjetër, e dëshmon këtë”, tha ai.
/m.m/r.e/























