TIRANË, 13 Korrik/ATSH/ Partia Demokratike kërkon ndryshimin e rendit të ditës në seancën e sotme plenare në parlament.
PD kërkon që pjesë e rendit të ditës sot, të jetë dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, për kontrollin e banesës dhe arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.
Partia Demokratike njofton se kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e ka dorëzuar pranë sekretarisë së Kuvendit.
Gjatë diskutimeve në seancën plenare, Bardhi ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të vijë në seancë plenare për të dhënë shpjegime për rastin e Arben Ahmetajt dhe dorëheqjen e Rrahman Rrajës.
Sipas tij, këto dy raste janë thelbi i qeverisjes së një njeriu.
“Është në detyrimin e tij dhe të drejtën tonë që të pezullohet seanca dhe kryeministri të japë llogari”, tha Bardhi.
Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, deputetja Klotida Bushka ka kundërshtuar kërkesën e Gazment Bardhit.
Sipas saj, procesi nuk është politik, është procedurial dhe duhet të mbizotërojë interesi i drejtësisë, jo interesi politik i ditës.
“Ne kemi bërë një proces në Këshillin e Mandateve, kemi një opinion, do duhet të bëhet një raport dhe neni e normon qartë këtë proces, brenda dy javëve hartohet një raport për seancë plenare. Të hënën është seanca dhe ka një logjikë pse procedura nënkupton që ka një garanci proceduriale të njohur, e drejta për t’u dëgjuar e deputetit, kështu respektohet shteti i së drejtës”, deklaroi Bushka.
Edhe kreu i Komisioni të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha kërkoi që gjatë seancës së sotme të diskutohet për këtë çështje.
“Faji kolektiv është në vend që të ndalemi dhe të diskutojmë për këtë ngjarje që tejkalon çdo përmasë, një njeriu që ia servirët shqiptarëve si zëvendësin e Edi Ramës, ikën në mënyrën më të turpshme. E informuat që të ikte, sepse katër orë para se të vinte njoftimi te parlamenti, ai ishte në Kakavijë”, tha ai.

/r.e/






















