TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Me 11 vota pro dhe 4 kundër, Komisioni për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë miratoi sot ndryshimet ligjore në ligjin “Për shtetësinë”, ndryshime, që synojnë afrimin e talenteve të reja në skuadrat kombëtare të futbollit, por jo vetëm.
Andi Mahila, zv/ministër i Brendshëm, duke prezantuar ndryshimet ligjore, të cilat propozohen nga qeveria në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, u shpreh se në fokus janë afrimi i talenteve të reja në fushën e sportit, artit, kulturës etj.
“Propozohet, që një fëmijë i lindur brenda territorit të Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Shqipëri, mund të marrin shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve”, – tha Mahila.
“Aktualisht në Shqipëri, ndodhet një numër relativisht i lartë shtetasish të huaj, rezidentë të ligjshëm. Lidhja e tyre me Shqipërinë garanton qëndrim të gjatë e të përhershëm në territor. Fëmijët lindin, rriten e shkollohen në Shqipëri. Kërkesa të shumta në këtë drejtim, janë paraqitur pranë njësive administrative apo në Ministrinë e Brendshme. Për këtë qëllim ne e shohim të arsyeshme shtimin e kësaj mënyre të fitimit të shtetësisë. Ky përfitim është një drejtë me kusht për fëmijën që lind në Shqipëri, nga prindër të huaj, pasi kërkon që prindërit të jenë rezidentë të ligjshëm dhe të japin dakordësinë e tyre”, – evidentoi Mahlia.
Sipas zv/ministrit, “kjo është një garanci për fëmijën, për shkak se të huajt, banorë afatgjatë janë të punësuar, apo të vetëpunësuar dhe gëzojnë të drejta ekonomike, shëndetësore dhe sociale të njëjta me shtetasit shqiptarë”.
Një tjetër risi, është heqja e kufizimit 18 vjeç e sipër, dhe heqja e kufizimit të njohjes së gjuhës shqipe apo historisë së vendit tonë.
“Ndryshimi tjetër është në nenin 2, ku parashikohet kohëgjatësia e qëndrimit në Shqipëri. Sipas ligjit aktual koha është 7 vite, ndërsa me ndryshimet e propozuara, reduktohet në 3 vjet dhe hiqet nevoja e njohjes së gjuhës shqipe apo historisë së vendit tonë. Ky propozim vjen për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës, që ai/ajo të mos presë 7 vite për bashkimin me prindërit”, – tha Mahila.
Gjatë diskutimeve të projektligjit ka patur edhe debate. Për opozitën, shqetësim është monitorimi i fëmijëve nën 18 vjeç që vijnë në vendin tonë.
“Kam frikë se shfrytëzohet nga grupe kriminale për të bërë trafik me këta fëmijë që mund të vijnë, marrin shtetësinë shqiptare dhe largohen drejt vendeve të tjera. Për sa kohë e merr shtetësinë ky fëmijë, nëse vjen si një talent, kush e përcakton nëse ka talent apo jo? E dyta, këta fëmijë që mund të vijnë, mund edhe të shfrytëzohen për punë nga grupe të tjera? Si do të parandalohet kjo? Praktika ka treguar që kanë ardhur fëmijë, nën moshën 18 vjeç, i kanë marrë nëpër këto klubet e futbollit, i kanë mbajtur tek këto klubet, i kanë larguar dhe i kanë lënë pa bukë. S’kanë pas më as lekë për t’u kthyer në vendet e tyre”, – vuri në dukje deputeti opozitar Asllan Dogjani.
“Unë propozoj të shtohet për shtetasit e huaj që s’kanë mbushur 18 vjeç, fitohet me pëlqimin e prindërve nëse janë me banim të paktën 3 vitet e fundit, bashkë me familjen e tyre, ose njërin prej prindërve. Ndryshe do të krijojmë probleme sociale në Shqipëri”, – tha Dogjani.
Një tjetër deputet i opozitës, Oerd Bylykbashi, u shpreh se ky projektakt meriton një debat më të gjerë, sepse prek edhe interesin kombëtar.
“Këto lloj ligjesh në parlamentet e botës kalojnë pas shumë vitesh. Ka një palë që kërkon që rregullat të jenë shumë strikte. Ka dhe një palë tjetër që kërkon liberalizim të rregullave. I ndan dhe linja politike këto lloj debatesh. Shpeshherë debatet mund të jetë konservatore, për të ruajtur vlerat, pasurinë, por edhe gjenetike të një kombi të caktuar. Ne s’kemi pse të jemi më liberalë se të tjerët. Në të vërtetë po prekemi nga shpopullimi, por s’duhet të hapim portat… duhet të jemi krenarë për shtetësinë shqiptare”, – tha Bylykbashi.
Zv/ministri Mahila tha se ndryshimet në ligjin për shtetësinë vjen për raste të veçanta të lidhura me sportin dhe janë të monitorueshme.
“Ulja e moshës 18 vjeç, lidhet me shtetësinë dhe për raste të veçanta. Për ata fëmijë të mitur që ju referuat, o janë emigrantë të paligjshëm, ose dhe me leje qëndrimi, por s’i kemi dhënë shtetësinë, është ligji për të huajt. FSHF ka evidentuar se ka shtetas shqiptarë në rajon dhe më gjerë që nuk kanë shtetësi shqiptare, dhe kombëtarja jonë nuk i merr dot. Për t’i lehtësuar këto afrime na ndihmojnë këto ndryshime ligjore. Kur është me prindër me shtetësi shqiptare e merr direkt. Por një shqiptar i Kosovës nuk e merr dot direkt”, – tha Mahila.
Në fund të debateve, Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet ligjore në ligjin “Për shtetësinë”.
Çfarë ndryshimesh pëson ligji për shtetësinë?
Fëmijët e lindur në Shqipëri nga prindër të huaj mund të marrin shtetësi shqiptare, me kusht që prindërit të japin pëlqimin e tyre, kur mosha e tij është nën 18 vjeç. Ky ndryshim në Ligjin për Shtetësinë vjen në kuadër të politikave të qeverisë për të afruar talente apo kualitete në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit.
Qëllimi është ngritja e nivelit të lojës në skuadrat e futbollit në vend dhe në mënyrë të veçantë forcimi i imazhit të skuadrave kombëtare të futbollit në nivel europian e ndërkombëtar.
Sipas ndryshimeve, “një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve”.
Më herët, ligji parashikonte se për fëmijët e lindur apo gjetur në territorin e Shqipërisë, të cilit prindërit nuk i njihen mund të marrin shtetësi shqiptare, por kjo mund t’i hiqej në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur 14 vjeç dhe janë shtetas të huaj, por me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.
Me ndryshimet e reja parashikohet, se shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasit e huaj edhe pa mbushur moshën 18 vjeç, kur personi s’përbën kërcënim për rendin publik edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.
Ky ndryshim sipas FSHF rrit mundësinë e rekrutimit të talenteve të reja, pasi kushti për moshën 18 vjeç e sipër, kufizon mundësinë e Federatës për të afruar talente.
/r.e/























