Ballina Aktualitet

Legalizimi i kanabisit mjekësor, Tabaku: Çfarë nevoje ka për këtë ligj, kur sot Shqipëria ka prioritete të tjera?

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një reagim në rrjetet sociale ngre pikëpyetje mbi rëndësinë e nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Deputetja Tabaku, e cila mban dhe pozicionin e kryetares së Komisionit për Çështjet e Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, sjell në vëmendje një raport të Kombeve të Bashkuara mbi trafikun e lëndëve narkotike

“Shqipëria vend kryesor në tranzitin e drogës sipas raportit të UN; rrugë tranziti dhe portë hyrëse që ka ndikuar në zinxhirët e furnizimit, cilësinë dhe ka ulur çmimet, duke ndikuar në rritjen e konsumit”, shkruan Tabaku.

Mbi këtë bazë, Tabaku ngre dhe disa pyetje mbi nismën e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor.

“A është koha dhe momenti për të diskutuar legalizimin e kanabis kur qartësisht është dështuar në kontrollin e territorit? A mund të kontrollohet prodhimi kanabis për qëllime mjekësore kur vendi sot përdoret si tranzit për tregjet ndërkombëtare? Çfarë nevoje ka për këtë ligj kur sot Shqipëria ka prioritete të tjera?!”, përfundon Tabaku reagimin e saj.

Qeveria shqiptare miratoi më 17 qershor projektligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Projektligji i cili pritet të diskutohet në Kuvend, përcakton kuadrin rregullator për mënyrën se si do të iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale. Nisma e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore vjen pas Këshillimit Kombëtar, ku 61 % e qytetarëve që morën pjesë votuan pro idesë së legalizimit të kanabisit mjekësor. Projektligji mban firmën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Qëllimi i projektligjit është rregullimi dhe granatimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kultivimit, prodhimin, përpunimit dhe eksportimit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Rusia, Ukraina dhe migracioni në qendër të samitit të BE-së
Artikulli tjetërDigjitalizimi katërfishon numrin e studiuesve në Arkivin e Shtetit