TIRANË, 15 qershor /ATSH/ 67 fëmijë përfitojnë terapi dhe një gamë të gjerë shërbimesh në Qendrën Komunitare të Shërbimeve për Aftësinë e Kufizuar në Përrenjas.
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann ishte sot në Përrenjas ku mori pjesë në inaugurimin e qendrës, të financuar nga BE-ja.
Ajo takoi disa prej këtyre fëmijëve, dhe ishte e mahnitur nga ecuria e tyre, falë një ekipi të përkushtuar profesionistësh.
“Qendra dhe stafi i saj ofrojnë gjithashtu fizioterapi, terapi të të folurit dhe terapi zhvillimore për fëmijët që jetojnë në fshatra të largëta, duke ofruar shërbime në shtëpitë e tyre. Ashtu si Erisioni, i cili ishte aq i sjellshëm sa na mirëpriti në Rrajcë për të na prezantuar shoqen e tij më të mirë (logopedisten) Klara”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të Delegacionit të BE në Tiranë.
/r.e/























