BRUKSEL, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Gjatë konferencës së donatorëve të Sirisë sot në Bruksel, Bashkimi Evropian premtoi grante dhe kredi me vlerë 9,6 miliardë euro (10.5 miliardë dollarë) për të mbështetur vendin.
Komisioni Evropian, BE-ja dhe vendet e saj anëtare premtuan në total 5,6 miliardë euro (6.13 miliardë dollarë), 4,6 miliardë euro për vitin 2023 dhe 1 miliardë euro për vitin 2024.
“Sot kemi mbledhur grante me vlerë 5,6 miliardë euro”, tha Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.
Institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët njoftuan një kredi me vlerë 4 miliardë euro.
Në konferencën e donatorëve morën pjesë përfaqësues nga mbi 85 vende dhe organizata ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, në konferencë u mblodhën 6 miliardë euro.
Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu një ndihmë shtesë me vlerë rreth 1 miliard euro.
Sipas Ministrisë së Zhvillimit të Gjermanisë, rreth 568 milionë euro do të sigurohen nga buxheti i saj dhe 484 milionë euro nga Ministria e Jashtme.
Fondi do të përdoret për të financuar riparimin e tubacioneve për ujin e pijshëm dhe për të ndihmuar fermerët.
“Do të ishte një gabim fatal të harronim krizën në Siri”, tha ministrja gjermane e Zhvillimit, Svenja Schulze.
“Lufta civile shkatërruese, migrimi masiv, fatkeqësitë e thatësirës dhe tërmeteve kanë sjellë pasoja katastrofike”, shtoi ajo.
Pas 12 vitesh luftë civile, Siria është e ndarë dhe e shkatërruar në masë të madhe.
Fatkeqësia e tërmetit në shkurt të këtij viti e ka përkeqësuar më shumë situatën.
Që nga shpërthimi i luftës në 2011, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë siguruar mbi 30 miliardë euro në ndihmë të Sirisë. //a.i/























