TIRANË, 22 maj /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi u shpreh sot se, certifikimi është përparësi në cilësinë e shërbimeve që ofrohen për publikun dhe biznesin.
“Java që lamë pas, shënoi fillimin e punës për disa insitucione shërbimofruese të përzgjedhur për t’u pajisur me standardin ISO 9001 për “Sisteme të Menaxhimit të Cilësisë” falë projektit CSDA/UNDP”, theksoi Ekonomi.
Sipas saj, pajisja me këtë certifikim do të shoqërohet edhe me plotësimin nga ana e këtyre agjencive me Procedura Standarde Operative (PSO) mbi funksionalitetet dhe operacionalitetin e shërbimeve që ato ofrojnë.
“Pajisja e institucioneve me këtë sistem do të ketë impakt në cilësinë e shërbimeve që ofrohen për publikun dhe biznesin”, tha ajo.
/r.e/























