Ballina Flash

Kumbaro: Tashmë Shkodra do t’i bashkohet zinxhirit të pastërtisë

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se Shkodra ka potenciale turistike të mrekullueshme, të cilat nuk janë shfrytëzuar siç duhet.

Gjatë takimit falënderues në këtë qytet, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ajo tha se, “Shkodra është qyteti i liqenit më të madh në Ballkan, por mjafton të hedhësh sytë në vendin kufi, ku liqeni është një potencial dhe burim kryesor i turizmit, nuk e kemi njëlloj të shfrytëzuar. Shkojmë në Shirokë për të ngrënë, por nuk shkojmë në Shirokë për ta shfrytëzuar me gjithë aktivitet ujore që mund të falë liqeni, lumi dhe deti, ku asnjë vend tjetër nuk e ka”.

Kumbaro theksoi se, “planet për Shkodrën duhet të jenë planet e Shqipërisë. Shkodra është një pasuri dhe pasaportë kombëtare dhe që ta bëjmë të tillë në radhë të parë duhet ta fillojmë siç fillon një amvisë e mirë nga pastërtia e shtëpisë. Kur nisëm Pastrimin Kombëtar në të gjithë Shqipërinë, në nëntor të 2021, që vazhdon dhe sot e kësaj dite në çdo cep të Shqipërisë, ku kam dëshmitare dhe prefekten në qarkun e Shkodrës, e vetmja bashki që nuk na bashkohej ishte Shkodra dhe është Shkodra po ashtu e vetmja bashki ku me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit kemi hezituar të zbatojmë atë që ligji na detyronte. Nuk i kemi kursyer ndëshkimet dhe masat ligjore për shumë kryetarë bashkish në Shqipëri, nga Gjirokastra, Vlora, Poliçani, Kruja, madje dhe Malësinë e Madhe. Këto nuk i kemi aplikuar me Shkodrën që të mos kishte keqkuptime dhe keqpërdorime politike, mos thuhej u gjobit bashkia Shkodër për arsye politike. Këtë e dinë të gjithë ata që kanë qenë në krye të kësaj bashkie që nuk e kemi bërë, e nuk e kemi bërë për respekt të Shkodrës”.

Ministrja tha se, “tashmë Shkodra do t’i bashkohet zinxhirit të pastërtisë ku të gjithë bashkë nga bregdeti i Velipojës, përfshi dhe Beks-Rrjollin, deri në jug, ne të kemi një plazh shqiptar model. Patjetër që po punojmë që Shkodra t’i bashkohet operacionit të dedikuar për pastrimin e plazheve që e kemi nisur nga Ksamili”.

“Velipoja është një plazh i rëndësishëm, ku kemi mbi 90 stacione plazhi, ka plazhe publike, ka dhe plazhe të cilat menaxhohen nga subjekte private. Nuk ka rëndësi kush është subjekti, ka rëndësi që ne të jemi për një qëllim, për bukurinë, pastërtinë dhe ekonominë e turizmit të Shkodrës dhe shkodranëve”, tha Kumbaro.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shkodra, potencial i fjetur për ekonominë dhe zhvillimin e Shqipërisë
Artikulli tjetërRama: Transformim i Muzeut për Krimet e Komunizmit në Shkodër