Ballina Aktualitet

PS fiton bashkinë e Maliqit, Peleshi: Topçiu, njeriu i punës

TIRANË, 15 maj /ATSH – I. Vata/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiu fitoi mandatin e kryetarit të bashkisë për të shtatën herë.

Sipas KQZ-së, për bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiu mori 66.38 % të votave, ose 13574 vota kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Alfred Gega që mori 33.62 %, ose 6875 vota.

Pas shpalljes së rezultatit, kandidati i PS-së, Gëzim Topçiu tha se, ne ende vazhdojmë punën, pasi kjo nuk është punë mandatesh, por është punë për komunitetin.

“Bashkia e Maliqit është kampione e gjitha që nga Pojani, Zemblaku, të cilat dhanë mbi 130 vota plus. Vazhdojmë me Vreshtan dhe Potgori dhe të gjithë fshatrat, me Vrashtasin, me Bregasin që janë kampione. Kemi fituar të gjitha Njësitë Administrative të Maliqit. Kemi fituar të gjitha qendrat e votimit si asnjëherë. Ky është mandati i shtatë që marrë dhe kjo është përgjegjësi për ata që më kandiduan dhe komunitetin e majtë e të djathtë. Është një përgjegjësi për punë më të mira”, tha ai.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Korçës, Niko Peleshi tha se, “Gëzimi ka kohë që punon dhe fiton në Maliq”.

“Mirëpo të gjithë thoshin se ‘fiton Gëzimi në Maliq se janë të majtë, janë bastione’, ndërkohë që Pojani është i djathtë. Por kur u bashkuan të dyja thanë ‘do të vështirësohet loja’. Mirëpo këto llogaritë politike nuk qëndrojnë, të vetmit që e dinë të vërtetën janë qytetarët dhe nuk votojnë gabim, por votojnë njeriun e punës. Sot që po flasim Pojani në hartën e votave nuk kanë dallim nga Maliqi, ku Topçiu fiton po njëlloj. Nuk është çështje bastionesh, por çështje e shërbimit që bashkia bën me të gjithë banorët. Gëzimi është modeli i punës në Maliq”, tha ai.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBilali: Nga sot, godina e bashkisë, shtëpia e të gjithë shkodranëve
Artikulli tjetërEU4Culture: Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, projekt madhor