TIRANË, 15 maj /ATSH – I. Vata/- Partia Socialiste ka shpallur fitoren e 4 kandidatëve për bashkitë në Qarkun e Dibrës.
Në Qarkun e Dibrës, PS garoi në bashkinë Mat me kandidatin, Agron Malaj, në bashkinë Klos me kandidaten Valbona Kola, në Bulqizë me kandidatet, Festime Mjeshtri dhe në bashkinë Dibër me kandidatin Rahim Spahia.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës, Belinda Balluku tha se, “këtë moment e kam ëndërruar gjatë gjithë fushatës. Çdo natë mendoja a do të vinim me të katërta bashkitë e qarkut këtu në selinë e PS-së për të sjellë fitoren. Sigurisht gjatë një fushate ditët ndryshojnë, por gjithmonë mendoja se Klosin “fëmijën delikat” të qarkut të Dibrës nuk do ta linim pas”.
“Ishte një vendim i guximshëm madje edhe pa u konsultuar mirë me Valbonën, vendimi i kryesisë së PS-së dhe i kryetarit Edi Rama për të kandiduar Valbona Kolën, doktoreshën më të dashur dhe më të mirë të Klosit. Edhe në këtë rast skeptikët nuk munguan. U kujtuan për disa histori të 2015 ku Valbona krejt e vetme vendosi të kandidonte përballë Bedri Hoxhës, një dinozaur politik i vendosur në Klos për ‘ti marrë frymën Klosit, i cili pasi fitoi dy mandate deputeti dhe dy mandate bashkie, duke e lenë bashkinë e Klosit më të prapambetur, dhe në atë kohë Valbona kandidonte e mbështetur vetëm nga të rinjtë dhe të rejat dhe arriti një rezultat mbi 4 mijë vota, por makineria e asaj kohe e bëri që Valbona të humbte nga manipulimet. Kështu patëm shumë skeptikë, por unë isha e bindur se Valbona Kola ishte zgjidhja e duhur për Klosin”, tha ajo.
Ballaku tha se, “kemi bërë një fushatë ku kemi mbjellë pemë dhe kemi mbjellë shpresë. Një fushatë ku kemi folur e komunikuar me këdo, për të qarë halle dhe dëgjuar qytetarët tanë. Një fushatë për të kuptuar se çfarë duan njerëzit dhe një fushatë, jo për t’i ndarë socialistë dhe demokratë”.
Kandidatja e bashkisë Klos, Valbona Kola tha se, do ta shënojmë zhvillimin e Klosit me shkronja të arta.
“Falënderoj qytetarët që më votuan, po ashtu falënderoj socialistët dhe demokratët që më votuan. Ne në Klos kemi shumë punë për të bërë për ta ndryshuar Klosin dhe me këtë skuadër të mrekullueshme që kemi këtu rrugëtuam drejt fitores dhe do të rrugëtojmë edhe 4 vitet e ardhshme për ta shënuar edhe zhvillimin e Klosit me shkronja të arta, duke u mbështetur tek kryeministri Edi Rama dhe zëvendës/kryeministrja Belinda Balluku”, tha ajo.
Kandidati fitues si kryebashkiak i Matit, Agron Malaj, në fjalën e tij falënderoi qytetarët për mbështetjen.
“Njerëzit e kanë kuptuar se rruga e duhur është të ecësh vetëm përpara dhe përshëndes qytetarët e Mati, nga Ulza, Bazi, Komsia, Macukulli dhe dje bënë një fitore spektakolare për të ecur përpara”, tha ai.
Kandidatja e PS-së për bashkinë Bulqizë, Festime Mjeshtri falënderoi qytetarët e Bulqizës për mbështetjen dhe u shpreh se do të mbajë premtimet e dhëna.
“Shpreh falënderimet për çdo familje të bashkisë së Bulqizës, duke filluar nga Trebishti, Ortreni, Gjorica, Fushë-Bulqiza, Martaneshi dhe Bulqiza. Qytetarët morën pjesë masivisht në votime dhe treguan se Bulqiza ecën vetëm përpara me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Falënderoj Zëvendëskryeministren Balluku për mbështetjen. Siguroj çdo banor se do të jem aty për t’i shërbyer çdo banori”, tha ajo.
Kandidati i PS-së për bashkinë e Dibrës, Rrahim Spahiu tha se, “do të mbajmë premtimet që u kemi bërë qytetarëve të Dibrës”.
“Falënderoj qytetarët e Dibrës që më dhanë besimin për të drejtuar bashkinë e Dibrës. Për ne nuk ngelet tjetër vetëm se vota e tyre të kthehet në punë. Unë u premtoj se të gjitha ato që janë thënë, premtimet do të bëhen realitet me mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama”, tha ai.
/gj.m/























