TIRANË, 15 maj /ATSH / Partia Socialiste ka shpallur fitoren e kandidatëve për bashkitë e qarkut Gjirokastër.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, nga selia e PS-së në Tiranë, tha se, “për të 6 bashkitë fituese më lejoni të falënderoj të gjithë qytetarët që na dhanë votën e besuan për të çuar përpara punët e projektet”.
“Trokitëm në çdo derë dhe na pranuan dhe besuan duke na dhënë votëbesimin”, tha ajo.
Kumbaro falënderoi edhe ata që nuk e votuan PS-së, pasi siç tha ajo, “vota për ne është aq e madhe dhe ka gjithmonë hapësirë për të bërë më të mirë, për të gjithë qytetarët”.
“Punët tona kanë vazhduar dhe do të ecim përpara”, deklaroi ajo.
Duke marrë fjalën, kryetari fitues i bashkisë Libohovë, Leonard Hide, falënderoi të gjithë ata që e mbështetën dhe shprehu angazhim për besim të plotë në punët që do të vazhdojnë në të ardhmen.
Dhimitër Toli, fitues i bashkinë së Dropullit, u shpreh se, “në këto zgjedhje ka fituar Dropulli dhe dropullitët.
“Ju falemnderit për të gjithë mbështetjen në këtë fushatë dhe ne po vazhdojmë me punët tonët tona në shërbim të qytetarëve”, tha ai.
Këlcyra është një tjetër bashki që është fituar nga kandidati i PS-së, Klement Ndoni.
“Kemi bërë shumë punë në bashkinë tonë, por projekti i i rrugës Ballaban-Berat do të vijojë me përparësi si një investim që do të çojë përpara bashkinë tonë”, tha ai.
Alma Hoxha, e cila ka fituar bashkinë Përmet, tha se, “me projektet tona do ta bëjmë bashkinë Përmet model të zhvillimit”.
Ndërsa, Tërmet Peçi, kryetar i bashkisë Tepelenë, falënderoi të gjithë qytetarët për besimin e dhënë me votën e tyre.
“Përpara për t’i bërë realitet projektet tona për tepelenasit”, tha ai.
Ndërsa, Flamur Golemi, kandidati fitues i bashkisë Gjirokastër tha se, tashmë e kemi bërë Gjirokastrën një model zhvillimi.
“Gjirokastra foli dhe dha më shumë mbështetje për PS-në dhe Edi Ramën. Gjirokastra është në momentin më të mirë për zhvillim”, tha ai.
/gj.m/























