TIRANË, 15 maj /ATSH – I. Vata/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, akuzat e opozitës për blerje vote janë shkaku kryesor që ata bien po në atë gropë dhe bien edhe më thellë.
I pyetur në një konferencë për mediet, për deklaratën e tij në Vaun e dejës se opozita po i bënte presion qytetarëve dhe po blinte vota, Rama tha se, “gjithçka është informacionin që e kemi pasur dhe përderisa ishte dhe një shqetësim i madh i njerëzve në Vaun e Dejës, unë e thashë publikisht”.
“Që tregtari më i madh i votave në Shqipëri është në Rrugën e Lirisë, këtë e di e gjithë Shqipëria. Madje jam i bindur nëse do t’i drejtoheshit peshqve në Liqenin Artificial do t’ju thoshin me emër e me mbiemër kush është”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe në lidhje me historitë me blerje dhe hakera që kanë dalë nga opozita.
Ai tha se, “këto historitë me blerje, hakera, janë bërë aq bajate sa unë nuk dua të merrem hiç me to”.
“Kjo është një përpjekje aq e marrë dhe në aq shumë vite për të mohuar realitetin, sa që është shkaku kryesor që ata bien po në atë gropë dhe bien edhe më thellë sepse të përsërisësh të njëjtën gjë duke shpresuar në një rezultat tjetër është marrëzi. Kështu që s’kam asnjë dëshirë dhe asnjë nevojë dhe asnjë gram energjie që të merrem kush i bleu kush, si i bleu. Sondazhet nuk blihen sepse çdokush mund të bëjë sondazhe. Nëse mendon se sondazhet e 7 televizioneve janë të blera t’i mund të bësh sondazhin tënd si radio. Çdo kush mund të bëjë sondazhe. Nuk kam parë deri më sot që nga viti 2007 nuk kam parë një sondazh që nxjerrë ato përpara. Por nëse kjo nuk mjafton, nuk ka një mënyrë tjetër për të thënë më fal. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”, tha Rama.
/gj.m/























