Ballina Flash

Berisha: PD, lokomotivë e reformave të tregut dhe proceseve integruese

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në një takim të departamentit ‘Brain Gain’ në PD, ku u prezantua broshura me arritjet e PD-së, gjatë kohës kur kjo forcë politike ka drejtuar vendin.

Berisha deklaroi se, PD do të jetë lokomotivë e zhvillimit të vendit.

“PD ka një trashëgimi me suksese dhe të metat e veta. Por ka një trashëgimi të jashtëzakonshme, pasi ajo mori vendin më të varfëruar të Evropës dhe një nga tre vendet më të varfra në botë, dhe e nxori në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, çka përbënte arritje epokale të këtij vendi. E anëtarësoi në NATO dhe arritje të tjera”, u shpreh ai, në nisje të fjalës së tij.

Berisha e cilësoi botimin me arritjet e kësaj force politike si një libër jashtëzakonisht të çmuar.

“Është një libër që përveç se do shpërndahet, do publikohet në faqen e PD. Është një libër që frymëzon demokratët për një të ardhme edhe më të mirë edhe se kjo, për suksese edhe më të mëdha se këto që ka realizuar. Është një dëshmi se PD është një lokomotivë e reformave të tregut, është një lokomotivë e proceseve integruese dhe një gardiane e vokacionit perëndimor të vendit”, tha ai.

10 vitet e fundit në të cilat PD po qëndron në opozitë, Berisha i cilësoi si vite të një kohe të ndalur.

“Jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, natyrisht nuk mund të mos themi se këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme, njohu edhe prapa-kthehu”, theksoi ai.

Sipas tij, Shqipëria, që në vitin 2013 ishte vendi me rrogat më të larta në rajon, u katandis sërish në vendin më të varfër me rrogat më të ulëta në rajon, me vetëm 20 % të qytetarëve të saj që marrin ndihmë ekonomike dhe janë në nevojë për ndihmë ekonomike.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDritan Shakohoxha: Veliaj, kryetari i bashkisë që duam
Artikulli tjetërEkpozita “Diagnoza racore” në Lapidariumin e Prishtinës