OTAVA, 25 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për mbrojtje të përbashkët të demokracive liberale, të sulmuara nga brenda dhe jashtë, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kanada.
“Ne duhet të shmangim të qenit të pambrojtur politikisht dhe ekonomikisht”, tha Steinmeier në Otava.
“Demokracia jonë është gjithashtu një infrastrukturë e rëndësishme. Le ta ruajmë dhe mbrojmë atë kundër sulmeve nga brenda dhe jashtë”, shtoi ai.
Përveç Rusisë, Steinmeier përmendi edhe Kinën si një sfidë ndërkombëtare.
“Pretendimi i Kinës për fuqi ekonomike dhe politike do të formësojë të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare në afat të gjatë”, tha ai.
“Kanadaja luan një rol të rëndësishëm në përpjekjet e të gjitha shteteve perëndimore për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në Indo-Paqësori”, tha Steinmeier.
“Gjermania dhe Kanadaja kanë një qëllim të përbashkët. Ne duam të zgjerojmë rrjetin tonë me shtetet në rajon për të reduktuar varësitë e njëanshme nga Kina”, tha ai.
Steinmeier u takua me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau për bisedime.
Trudeau vlerësoi lidershipin e Gjermanisë në grupin e vendeve të G7 dhe theksoi se të dyja vendet po punojnë krah për krah për të mbështetur Ukrainën.
Steinmeier mbërriti në Otava të dielën në një vizitë katërditore, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Elke Büdenbender dhe një delegacion biznesi.
Ministrja e Arsimit dhe Kërkimit, Bettina Stark-Watzinger po ashtu iu bashkua vizitës.//a.i/























