Ballina Flash

Balla: SPAK të hetojë shpenzimet për koncertet prej 100 mijë euro të Saliut dhe Ilirit

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla, u shpreh sot nga Fieri se, “SPAK duhet të hetojë shpenzimet që Saliu dhe Iliri po bëjnë për koncertet e fushatës nga 100 mijë euro”.

Bashkë me kandidatin e PS-së në Fier, kryebashkiakun Armando Subashi, Balla zhvilloi një takim me banorë të lagjes “Grecalli”, ku foli për të gjitha punët që do të vijojnë në këtë bashki.

“Zgjedhjet e 14 majit janë mundësia e secilit prej nesh për të zgjedhur nëse duam të vazhdojmë të ecim përpara me Edi Ramën, apo të kthehemi mbrapa me Sali Berishën dhe Ilir Metën”, tha ai.

Balla vuri në dukje se “Partia Socialiste ka vendosur që në këtë fushatë, një pjesë të fondeve që i jep KQZ, t’ua dhurojë bashkive duke mbjellë pemë”.

Ndërkohë, sipas tij, “Saliu dhe Iliri po bëjnë koncerte 100 mijë euro vetëm për skenën”.

“SPAK nuk duhet të bëjë shurdhin, por kjo faturë 100 mijë euro është një faturë që nuk duhet të shpëtojë pa u hetuar”, tha Balla.

/m.m/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërmirësimi i shërbimeve, Ekonomi: SIGMA vlerëson Shqipërinë
Artikulli tjetërTërheqja e Jabllanoviçit nga gara zgjedhore, flasin nga KQZ