Ballina Aktualitet

MEPJ: Juna Harka, asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm

TIRANË, 13 prill/ATSH – I. Vata/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas akuzave mbi emërimin e shtetases Juna Harka, ndërsa sqaroi se emërimi është bërë bazuar në ligjin “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, që parashikon emërimin për nevoja të veçanta diplomatike të ekspertëve jashtë shërbimit të jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit.

“Për dijeni të opinionit publik, në jetëshkrimin e paraqitur pranë MEPJ-së rezulton se shtetasja në fjalë plotëson të gjitha kushtet. Ajo ka përfunduar studimet e larta jashtë vendit për marrëdhënie ndërkombëtare, zotëron tre mastera dhe ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie, gazetari dhe botën akademike. Për më tepër Harka, e cila është lindur e rritur në familje diplomatësh zotëron shkëlqyer katër gjuhë të huaja, ndër të cilat gjuhën turke”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.

MEPJ sqaron se bazuar mbi këto kritere e cilësi është bërë fillimisht emërimi i saj në Konsullatën e Përgjithshme të RSH në Stamboll.

“Në kuadër të transparencës dëshirojmë të nënvizojmë faktin se në dokumentet zyrtarë (certifikatë familjare) Harka rezulton e pamartuar. Pas emërimit, ajo nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. Informojmë se gjatë këtij procesi verifikimi, Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale”, thuhet në deklaratë.

MEPJ konfirmon se shtetësja Juna Harka nuk ka shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit.

“Rrjedhimisht nuk ka pasur asnjë komunikim me autoritetet turke për këtë emërim. Faktet e mësipërme dëshmojnë se gjithçka që i është servirur sot opinionit publik vetëm për arsye politike janë akuza të pabaza dhe  keqinformim. MEPJ garanton qytetarët e Republikës së Shqipërisë që do të vijojë të zbatojë ligjin”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.

Më herët sot, Partia Demokratike akuzoi ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, se ka emëruar si ambasadore në Stamboll, bashkëshorten e një trafikanti.

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Floriana Garo tha se në fund të shkurtit, Olta Xhaçka, ka emëruar Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll zonjën Juna Harka.

“Si shumë të tjerë e të tjera, Harka nuk ka punuar as edhe një ditë në diplomaci. Lajmi, dhe bëhet fjalë për lajm të keq, qëndron te fakti se bashkëshorti i Juna Harkës, shtetasi turk Ramazan Keskin, është kreu i një organizate kriminale aktive në narko-trafik. Për të ka një urdhër-arrest europian që në vitin 2020. Në fillim të shkurtit të këtij viti, dy javë përpara se Juna Harka të emërohej në Stamboll, SPAK vendosi vënien në sekuestro të pasurive në Shqipëri të bashkëshortit të saj Keskin. Megjithëkëtë,  Harka-Keskin, jo vetëm u emërua në Ambasadë, por u pajis shumë shpejt me pasaportë diplomatike. Në datën 5 prill 2023, kur kishin përfunduar të gjitha procedurat për emërimin në Stamboll të Harka-Keskin, disa media shqiptare njoftuan se u vunë në sekuestro pasuritë e bashkëshortit të saj turk. Të njëjtën ditë ka ardhur reagimi i autoriteteve turke për emërimin e znj. Harka dhe asaj i është kërkuar dorëzimi i pasaportës diplomatike nga MPJ. Kjo ndodhi nga frika e skandalit dhe zhurmës që do pasonte. Përndryshe Xhaçka do të vijonte e qetë, gjë që e dëshmon fakti se, që nga emërimi deri te botimi në media i lajmit të sekuestros, kaluan 6 javë. Është e pamundur që një institucion i lartë si MPJ, me shefe një ish-ministre të Mbrojtjes, të mos ketë patur të dhëna nga shërbimet inteligjente se kush është Ramazan Keskin dhe kush bashkëshortja e tij”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Garo shton se “emërimi i zonjës Harka është pjesë e një cikli të qartë korruptiv ku përfshihen lidhjet familjare, ajo është kushërirë e Skënder Gjinushit”.

“Më shumë se farefisnia, bie në sy fakti që ajo emërohet pikërisht në Stamboll, atdheun e bashkëshortit të saj narko-trafikant, në kërkim nga autoritet europiane dhe në sekuestro nga ato shqiptare. Nota Verbale për Ambasadën turke në Tiranë, për emërimin e znj. Harka në Stamboll është përgatitur në fillim të prillit. Kjo praktikë nuk gjendet, pasi është dhënë urdhër nga lart që të zhduket çdo provë që lidhet me këtë skandal. Por, gjurmë që mbetet është fakti se më 4 prill znj. Harka-Keskin ishte në Ministrinë e Jashtme dhe tërhoqi pasaportën diplomatike. Ndërsa një ditë më pas shumica e medias përcollën njoftimin për vënien nën sekuestro të pasurive në Shqipëri të bashkëshortit të saj”, tha ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohen shpronësimet për efekt të ndërtimit të qendrës shëndetësore në Lushnjë
Artikulli tjetërKrifca në Gjermani: Promovim i Shqipërisë bujqësore e rurale