TIRANË, 11 prill/ATSH/ Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu reagoi sot pasi një tender i bashkisë së Tiranës për blerje lëndësh djegëse për ngrohje në objektet arsimore, përfundoi në dhunë dhe kërcënime, si dhe me arrestimin e ofertuesve.
Në një deklaratë për media, Balliu u shpreh se, “është në traditën e Bashkisë që i njofton tenderat publikisht vetëm kur në media dalin informacione, apo kur konkurrentët në tender kërcënojnë njëri-tjetrin dhe pazaret prishen e bëhen publike”.
“Kështu shkojnë gjërat kur tenderët janë korruptivë dhe konkurrenca ia le vendin hileve dhe forcës. Për të kuptuar natyrën korruptive të tenderit dhe dhënësve të tij mjafton një element. Buletini i Agjencisë së Prokurimit Publik datë 11 prill 2023, publikon formularin e njoftimit të fituesit nga Bashkia Tiranë. Pra, menjëherë pas daljes në media të veprimeve korruptive dhe kriminale të tenderit fiktiv”, tha ai.
Balliu parashtroi disa pyetje lidhur me procedurat e ndjekura për zhvillimin e tenderit, ndërsa kërkon edhe hetimin e SPAK për këtë çështje.
“Përse nga asnjë strukturë e specializuar, SPAK, BKH, Prokurori e Përgjithshme, etj, nuk hapet çështja penale për një skandal të përmasave të tilla, ku ofertuesit pjesëmarrës kërcënohen me njëri tjetrin? Si ka mundësi që nga SPAK–u nuk konstatohen asnjëherë shkelje në tenderët abuziv dhe fiktiv që zhvillohen nga Bashkia Tiranë? Përse SPAK-u nuk e heton një tender të tillë abuziv, i cili është hapur në datë 10 mars 2023, ndërkohë njoftimi i fituesit paraprak është publikuar sot në datë 11 prill 2023? Sa ditë i duhen komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit Kontraktor për të vlerësuar një tender të tillë abuziv?
Përse vlerësimi i ofertave është bërë pas 33 ditësh, apo iu la kohë ofertuesve që të kërcënoheshin me njëri-tjetrin?” – pyet ai.
Po ashtu, Balliu shtron pyetjen se, “përse nga asnjë instancë ligjzbatuese nuk verifikohet rasti konkret, se si është përllogaritur vlera e fondit limit?”
“Përse nga Bashkia Tiranë u zhvillua një tender i tillë, me një shpejtësi të çuditshme, përpara zgjedhjeve, ndërkohë përpara janë muajt e verës dhe dimri do kohë që të vijë, si dhe për më tepër, kur ngrohja në kopshte, çerdhe dhe shkolla mungon? Qëllimi i hajdutëve në ikje, është zhvillimi i prokurimeve fiktive, me qëllim që vjedhja të jetë sa më e madhe, sepse Lavatriçja e Tiranës i do paratë për të blerë votat. Të nderuar prindër, kjo është arsyeja përse mungon ngrohja në shkolla, kopshte dhe çerdhe, sepse hajdutëve nuk u interesojnë fëmijët tuaj, por paratë në xhepat e tyre dhe për fëmijët e vet dhe të atyre me të cilët ndajnë paratë që ju vjedhin ju”, u shpreh ai.
/m.m/ /gj.m/r.e/























