TIRANË, 1 prill/ATSH/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ish-kryeparlamentarët, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, do të përballen të hënën me gjyqin për krime lufte në Gjykatën e Hagës.
Kryeministri Edi Rama postoi në “Twitter” një shkrim të publikuar nga Reuters, ndërsa ka sjellë në vëmendje se vetë presidenti aktual i SHBA, Joe Biden e cilësoi dikur Thaçin si “George Washington” i Kosovës.
“A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e udhëheqin popullin e tyre drejt lirisë nga regjimet brutale? Është një mendim shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se njeriu në këtë foto dikur u cilësua George Washington i Kosovës nga vetë Joe Biden”, deklaroi Rama.
Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Një gjykatë speciale e Kosovës e ngritur në Hagë e paditi Thaçin në nëntor 2020 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Tre nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke përfshirë dy ish-kryetarë të Parlamentit, përballen me të njëjtat akuza si ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).























