TIRANË, 3 mars/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit gjatë janarit të këtij viti kapën vlerën 1.7 miliardë lekë, ose 20.6% më shumë se në janarin e 2022-shit.
Gjatë këtij muaji edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura shënoi rritje prej 15.19%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 96 527.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.54% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.46%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.19% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.81% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 560 milionë lekë, ose 42.51% më shumë se në periudhën janar 2022.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar 2023 kapën vlerën 350 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 18.09% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/r.e/























