TIRANË, 27 shkurt/ATSH-Mael Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Podgorica se dhe Procesi i Berlinit dhe “Ballkani i Hapur” janë dy nisma plotësisht komplementare, të cilat kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në përfundim të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama këmbënguli që “Ballkani i Hapur” është i domosdoshëm për të jetësuar me një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit.
Ai theksoi se “këtu kemi dakordësi të plotë me Kryeministrin e Malit të Zi”.
“Dëshiroj ta falënderoj kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë në gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falënderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të ‘Ballkanit të hapur’ në qershor në Malin e Zi”, tha Rama.
Ndërkohë, ai theksoi se Procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të vjeshtës, ndërsa data do të përcaktohet në takimin që do të ketë së shpejti në Berlin me kancelarin gjerman.
Rama theksoi se edhe në samitin e radhës do të ftohen të gjithë të jenë pjesë.
“Nuk ka asnjë kundërshtim mes të dyjave. Janë dy nisma plotësisht komplementare, të cilat kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën. Nuk mundet të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit që është një proces i Ballkanit, por duhet të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime dhe ide që janë themeli i Procesit të Berlinit”, shtoi Rama.
/r.e/























