TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u shpreh sot në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas mbledhjes së përbashkët të 2 qeverive në Podgoricë, Abazoviç tha se “ne sot e kemi nisur një mesazh të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe ky është një mesazh universal edhe për sa i takon shteteve të tjera”.
“Ne maksimalisht përkrahim dialogun mes Shqipërisë dhe Kosovës. Qeveria e Malit të Zi e përkrah dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe mendojmë se plani franko-gjerman është një plan i mirë. Ndihmon paqen në rajon”, tha ai.
Abazoviç theksoi se e ardhmja jonë dhe e të gjithëve është bashkëpunimi dhe respekti mes shteteve të ndryshme.
“E rëndësishme është që në fund të fundit çdokush do të ketë dobi nëse vendos çfarë duan ndërkombëtarët dhe popujt këtu. Humbje do të ketë nëse vazhdohet me statuskuonë. Normalisht nuk është çështje e jona dhe nuk kemi të drejtë të themi si duhet të veprojnë politikisht, por e ardhmja jonë dhe e të gjithëve është bashkëpunimi”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.
“Mesazhi i Podgoricës, i qeverisë, është në mbështetje të dialogut, bashkëjetesës dhe marrëveshjeve. Nuk mbështesim politikën e ndarjes dhe atë të viteve ’90. Unë dua të besoj se liderët e Serbisë dhe Kosovës do ta kuptojnë këtë gjë. Sa më mirë ta kuptojnë, aq më mirë do të ishte për ta dhe një shembull për të gjithë rajonin”, tha Abazoviç.
/r.e/






















