ANKARA, 11 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se vendi i tij përballej me një nga fatkeqësitë më të mëdha të historisë së tij duke iu referuar tërmeteve vdekjeprurëse që goditën pjesën jugore të vendit më 6 shkurt.
“Si komb, ne po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë”, tha Erdogan teksa inspektonte përpjekjet e kërkim-shpëtimit në provincën Adiyaman.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 prekën më shumë se 13 milionë persona në 10 provinca, përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanlıurfa.
Erdogan është zotuar të rindërtojë rajonin jugor të goditur nga tërmeti, si pjesë e një plani njëvjeçar.
”Ne do t’u sigurojmë qytetarëve tanë që nuk dëshirojnë të qëndrojnë në tenda të mund të zhvendosen në banesa dhe do t’ua paguajmë qiranë për një vit”, tha ai.
Gjithashtu, presidenti u bëri thirrje qytetarëve që të mos u japin rëndësi atyre që abuzojnë me unitetin dhe solidaritetin në këtë kohë.
Ai theksoi se shteti qëndron pranë qytetarëve me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.
Ai gjithashtu paralajmëroi njerëzit që të mos u kushtojnë rëndësi provokimeve që tentojnë t’i nxisin me lajme të rreme, veçanërisht përmes platformave të mediave sociale./ a.jor.






















