TIRANË, 23 janar/ATSH – I. Vata/ -Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, në KQZ, shpalli sot vendimin për shqyrtimin e kërkesave ankimore të Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv me objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet 2021”.
KAS vendosi pranimin e kërkesave ankimore të paraqitura nga OSHMA-të, TV Mati, Club TV, A2CNN (G2 Media), TV Klaudiana, Radio Saranda Televizion, TV Berati, Glob TV, TV Alpo (AMG 2000), TV Apollon, TV Kopliku, TV Best Channel, TV-Era-Digitalb dhe Televizioni Kukës.
Gjithashtu, KAS vendosi shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve publike të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, datë 25.04.2021” për dënimet administrative me gjobë të vendosura ndaj OSHMA-ve TV Mati, Club TV, A2CNN (G2 Media), TV Klaudiana, Radio Saranda Televizion, TV Berati, Glob TV, TV Alpo (AMG 2000), TV Apollon, TV Kopliku, TV Best Channel, TV-Era-Digitalb dhe Televizioni Kukës.
KAS shqyrtoi edhe kërkesën ankimore të partisë Fryma e Re Demokratike me objekt kundërshtimin e pikës 21 të vendimit nr. 224, datë 07.12.2022 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe shfuqizimin e detyrimit të Partisë “Fryma e Re Demokratike” për kthimin e shumës prej 485.332 leka ndaj KQZ.
Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore dhe lënien në fuqi të pikës 21 të vendimin nr. 224, datë 07.12.2022 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
/gj.m/























