TIRANË, 22 janar/ATSH – I. Vata/ Mjekët e QSUT-së kanë bërë të mundur kthimin në normalitet të gjendjes së Noelit 3 vjeçar, pas një ndërhyrje kirurgjikale mjaft komplekse.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga operacioni dhe mjekët e QSUT, të cilët kryhen këtë ndërhyrje.
“Sot Noeli i vogël i është kthyer plotësisht normalitetit pas një dëmtimi të rëndë, vogëlushi 3-vjeçar iu nënshtrua një interventi kirurgjikal kompleks, që u realizua me një ndërhyrje të vetme, falë mundësive të krijuara me investimin në Pediatrinë e Tiranës dhe bashkëpunimit shumë të mirë të mjekëve të 3 shërbimeve të Spitalit të Traumës dhe QSUT”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Edhe ministrja e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, në një postim në rrjetet sociale, vlerësoi mjekun ortoped dhe të kirurgjisë së dorës, Dr. Arian Çelaj, neurokirurgun Dr. Ridvan Alimehmeti dhe anestezistin pranë kirurgjisë infantile Dr. Spiro Sila.
Pas operacionit, mjekët thonë se, gjithçka do të shkojë mirë për Noelin e vogël pasi u kthye në normalitet.
“U realizua një ndërhyrje e një niveli të lartë të vështirësisë dhe falë bashkëpunimit të mirë të tre spitaleve u bë i mundur ky intervent që më përpara realizohej me etapa, por falë kushteve arritëm ta realizojmë”, sqarojnë mjekët.
/gj.m/






















