Ballina Aktualitet

PD, kërkesë Kuvendit për komision hetimor për udhëtimet charter

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ 36 deputetë të opozitës depozituan sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit nga data 10 shtator 2013 deri në datë 31 tetor 2022”.

Në kërkesë theksohet se faktet e publikuara janë tronditëse.

“Kryeministri rezulton të ketë udhëtuar 137 herë jashtë shtetit me avion privat të tipit ‘charter’, pa llogaritur udhëtimet e tjera me avion të linjave të zakonshme me intervale 3-4 ditore njëri nga tjetri. Rezulton se edhe gjatë krizës së pandemisë COVID-19, Kryeministri ka kryer rreth 20 udhëtime me avion ‘charter’. Shifra e 137 udhëtimeve ‘charter’ është dy herë më shumë se numri i udhëtimeve të ish-Presidenti amerikan Xhorxh W. BUSH, i cili, në dy mandate, kishte kryer 74 fluturime me avionin presidencial amerikan ‘Air Force One'”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Në njoftim thuhet se opozita ka denoncuar në vazhdimësi shpërdorimin e fondeve dhe parave publike nga Kryeministri, duke bërë publike mjaft shembuj konkretë të këtyre abuzimeve. Gjithashtu, sipas PD-së, “media investigative ka publikuar mjaft të dhëna dhe detaje rreth udhëtimeve jashtë shtetit të Kryeministrit”. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Kompania “Bayraktar”, trajnime falas për fëmijët shqiptarë për botën dixhitale
Artikulli tjetërGJERMANI – Vihet në funksion terminali i parë LNG