Ballina Flash

Dita Botërore e Tokës, Akademia e Shkencave konferencë shkencore

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agroscope (Zvicër), CIHEAM Bari (Itali), organizoi sot në Tiranë, konferencën shkencore me temë “Një tokë e shëndetshme ofron ushqim të shëndetshëm, ruan natyrën, dhe mbron nga ndryshimet klimatike: Pakti i Gjelbër i BE dhe ndikimi i tij në menaxhimin e burimeve tokësore në Shqipëri”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi falënderoi për pjesëmarrjen gjithë të pranishmit e veçanërisht ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca për mbështetjen dhe përkrahjen që po i jep konferencës dhe nëpërmjet saj edhe bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe gjithë shkencave bujqësore në Shqipëri.
“Problemi i tokës, pjesës së kultivuar të saj, është një problem mjaft kompleks edhe nga ana shkencore dhe është pak t’i kushtosh një konferencë. Por ky aktivitet shkencor zhvillohet Ditën Botërore të Tokës, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si të tillë, për vetë rëndësinë që ka ky objekt, për vetë rëndësinë dhe kompleksitetin e problemeve me të cilin ndeshet shkenca edhe kërkimi shkencor për këtë çështje. Por, krahas problemeve madhore që janë globale kudo, Shqipëria ka problemet e saj specifike për tokën; për vetë faktin se toka tek ne është e kufizuar, është pjellore dhe e begatë, por mjaft e kufizuar dhe shpesh njerëzit janë mjaft agresivë me keqshtrytëzimin e “urbanizimin” e saj në shumë raste”, tha Gjinushi.
Gjinushi u shpreh se është rritur bashkëpunimi i ASH me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe këtë e dëshmojnë një numër aktivitetesh te organizuara se bashku, dhe fakti se shumica e aktiviteteve kryesore që u zhvilluan gjatë këtij viti në Akademinë e Shkencave i kushtoheshin kryesisht bioshkencës, fushë e cila është mjaft e lidhur me shkencat bujqësore për vetë afërsinë që ato kanë. Por përsëri në këto drejtime duhet bërë më shumë.
“Kohët e fundit bëmë një vizitë në Akademinë e Shkencave të Rumanisë dhe atje ka një akademi më vete për shkencat bujqësore, pranë së cilës funksionojnë mbi 40 institute kërkimore në shkencat bujqësore, çka flet për rëndësinë që kanë këto shkenca, çka flet edhe për peshën që ato mbartin në kërkimin shkencor në tërësi, ndryshe nga sa mund të jetë vizioni apo koncepti për shkencën në bujqësi këtu tek ne; çka do të thotë që ne krahas këtyre konferencave kemi shumë për të bërë edhe për ngritjen e fuqizimin e strukturave të reja kërkimore shkencore në drejtim të shkencave bujqësore, që punojnë në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë”, theksoi Gjinushi.
Gjinushi tha se gjithkush që merret me kërkim edhe me shkencë, realisht, e di që vetë shkenca, produkti shkencor në fushat kryesore nuk mbart ideologji, përveç ndonjë strukture që ngrihet posaçërisht për këtë qëllim.
“Shkenca flet me gjuhën e arsyes, me gjuhën e logjikës, me gjuhën e ligjeve, e jo me dogmën, dhe fajin për arritjet e pamjaftueshme apo mosarritjet nuk e kanë modelet, por e ka vullneti politik, shkalla e interesimit dhe e mbështetjes për kërkimin shkencor, masa e financimit të tij. Pikërisht në këtë kuadër, si Akademi duhet të pranojmë që kemi shumë për të bërë, pasi edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, pjesa që mbulon bujqësinë ka qenë pak e diskriminuar, gjë që me rritjen e këtyre aktiviteteve dhe rritjen e intensitetit të tyre tregon që është një reflektim apo një autokritikë në këtë aspekt”, nënvizoi Gjinushi.
Ai tha se “krahas disa hapave pozitivë që kemi hedhur në këtë drejtim, është koha edhe për ngritjen e strukturave të posaçme, pra për ngritjen e qendrave të reja të kërkimit që i dedikohen kërkimit shkencor në fushat e bujqësisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor”.
Gjinushi shprehu bindjen se edhe kjo konferencë do të kontribuojë për të krijuar një vizion më të qartë edhe për ne, dhe sigurisht edhe për Ministrinë e Bujqësisë, për hapat që duhet të hedhim në vazhdimësi për fuqizimin e ngritjen cilësore të kërkimit shkencor në bujqësi.
/k.s/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlimehmeti tërhiqet nga gara, Këlliçi kandidat për bashkinë e Tiranës
Artikulli tjetërTë paktën 2 500 foka gjenden të ngordhura në brigjet e Detit Kaspik