TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim u takua sot me gjeneralbrigade, Arben Kingji, për herë të parë në cilësinë e shefit të Shtabit të Ushtrisë, me fokus forcimin e marrëdhënies së mbrojtjes SHBA-Shqipëri.
Kim dhe Kingji ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në vazhdim të stërvitjes historike Defender Europe 2021 dhe në përgatitje për stërvitjet e ardhshme Defender Europe 2023, njoftoi sot Ambasada e SHBA në Tiranë.
Ata diskutuan ndikimin pozitiv të selisë së Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA (SOCEUR) në Shqipëri dhe aktivitetet e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA (SFAB).
Ata diskutuan gjithashtu përgjigjen ndaj përmbytjeve shkatërruese në veri, me gjeneralbrigade Kingji, i cili shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA në trajnime, pajisje (përfshirë automjetet e urgjencës dhe gomone) dhe furnizime të tjera, dhe ambasadoren Kim që përsëriti gatishmërinë e SHBA për të ofruar mbështetjen e nevojshme.
/j.p/r.e/






















